Thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier e bëri të qartë se flet për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare kur thotë se duhen ulur urgjentisht tensionet.
Kreu i misionit diplomatik të SHBA-së zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani, të cilës i ka përcjellë drojen mbi mundësinë e një shpërthimi të dhunës.
“Sapo u takova me presidenten Osmani me kërkesë të saj; ne folëm për situatën e tanishme në veri dhe shqetësimin tonë të përbashkët për mundësinë e dhunës dhe për nevojën që situate të çtensionohet. Kam pasur një takim më herët edhe me kreun e zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, Tomas Szunyog, ku i kishim ftuar të katër kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zvecanit na u bashkuan dhe biseduam me ta. Jemi thellësisht të shqetësuar, e përsëris, qeveria e SHBA-së dhe ato të QUINT-it , të gjitha besojnë se është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët të hyjnë nëpër ndërtesa përmes përdorimit të forcës, ky mbetet qëndrimi ynë”, tha Hovenier.
Dy kryetarët që morën pjesë në takimin e përmendur nga Hovenier ishin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata të Mitrovicës së Veriut dhe Leposavicit, që janë anëtarë të Vetëvendosjes, nuk shkuan në takim. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e cila ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm në mbrojtje të Kosovës në Bruksel, u shpreh gjithashtu kritike për lëvizjet e Prishtinës zyrtare.
“Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me këto manovra në veri. Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”, tha Von Cramon.
Von Cramon shtoi se duhet të punohet në ndërtimin e besimit me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe që ata të mos portretizohen si “kriminelë” dhe “kukulla të Beogradit”.
Zyrtarja e lartë europiane u takua më herët me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbi zhvillimet në veri, teksa i kujtoi edhe një herë se duhet një zbatim i plotë i marrëveshjes bazë dhe se është e rëndësishme që në katër komunat në veri të stabilizohet situate e të ofrohen sa më parë shërbimet bazike për qytetarët.
Top Channel