Me ngritje vetullash dhe mosbesim është pritur lajmi i nisjes së fushatës sensibilizuese të qeverisë britanike në mediat shqiptare dhe rrjetet sociale, e cila synon frenimin e ardhjes së shqiptarëve përmes La Manshit me gomone.
Qeveria e Rishi Sunak përmend rrezikun, por edhe ndalimin dhe dëbimin e atyre qe do vijnë ilegalisht, ndërsa opozita laburiste e cilëson si të pabesueshme dhe në kaos sistemin e emigracionit, ndërsa shoqatat e refugjatëve si të pakuptimtë.
Qeveria nuk thotë se sa ka kushtuar financiarisht kjo fushatë për paralajmërimin e shqiptarëve, të cilët përbënin rreth 14 mijë emigrantët e ardhur vjet në total nga të cilët rreth 9 mijë e 500 me gomone nga 46 mije të ardhurit në total.
Ajo që habit me këtë fushatë është se në kushtet kur nga janari deri në mars të këtij viti sipas BBC, vetëm 1 për qind e të ardhurve deri më tani janë shqiptarë dhe shumica janë indianë dhe nga kombësi të tjera, fushata bëhet vetëm në Shqipëri dhe jo në Indi apo vendet e tjera nga janë shumica dërrmuese e të ardhurve ilegalisht në Britani.
Për skeptikët përgjigja vjen në formën e asaj se Britania falë marrëveshjes mes Sunak dhe kryeministrit shqiptar Rama, për kthimin e shqiptarëve nga Britania, të vetmin vend ku mund t’i kthejnë të ardhurit me gomone është Shqipëria, në kushtet kur projekti i Ruandës është në resurse ligjore dhe nuk dihen nëse do funksionojë ose jo.
Kur shqiptarët deri më sot janë të papërfillshëm nëpër gomonet që ende vijnë, fushata mund të jetë tregues edhe i të dhënave inteligjente për fluks shqiptarësh në muajt e ngrohtë të verës, andaj edhe bëhet. Mbetet të shihet nëse kjo fushatë do bind shqiptarët që të mos i hynë kalimeve ilegale me gomone nëpër La Mansh, ndërkohë masat e ndërmarra duket se nuk kanë bindur emigrantët nga kombësi të tjera se do mund të rikthehen në vendet e origjinës, siç ka premtuar qeveria konservatore britanike e Rishi Sunak.
Top Channel