Qeveria angleze ka nisur një fushatë sensibiliueze në Shqipëri, kundra atyre që i cilëson si oferta të rrezikshme të trafikantëve për të shkuar në Angli me gomone.
Një zëdhënës i Home Office tha për Top Channel se posterat do të shpërndahen në rrjetet sociale duke targetuar audiencën shqiptare për të përçuar mesazhin se kush mbërrin ilegalisht në Angli do të dëbohet menjëherë.
Ky është një prej dy posterave ku është fotografuar një shqiptarë që dëbohet.
Në poster thuhet: “Nëse vjen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar do të përballesh me Ndalim dhe Largim“.
Ndërsa në një tjetër poster theksohet mundësia e dërgimit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ruanda: “Ligje të reja strikte në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse vjen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar mund të të dërgojnë në vendlindje ose në një shtet të sigurt”.
Robert Xhenrick ministër i Emigracionit deklaroi paraditen e të dielës se “Ne jemi të vendosur të ndalojmë udhëtimet me gomone. Kjo fushatë që ne nisim në Shqipëri është një prej komponentëve të punës së Home Office”.
Kjo fushatë dekurajimi e qeverisë së kryeministrit Rishi Sunak, për ata që mendojnë të shkojnë me gomone drejt Anglisë vjen si një kundërpërgjigje e reklamave në TikTok nga grupet kriminale në këtë trafik.
Vitin e shkuar me qindra reklama të tilla në TikTok shërbyen si një urë lidhëse mes trafikanteve dhe 13.000 shqiptarëve që mbërritën me gomone tashmë subjekt dëbimi nga shteti ishull.
Top Channel