Rusia pretendon të ketë shmangur një sulm ushtarak nga Ukraina në një nga anijet detare të saj spiune që po lundronte në ujërat e Turqisë.
“Të mërkurën në orën 5:30 të mëngjesit forcat e armatosura të Ukrainës bënë një përpjekje të pasuksesshme për të sulmuar anijen Ivan Khurs të Flotës së Detit të Zi me tre skafe pa pilot”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
Sipas Rusisë, anija kishte për detyrë të ruante infrastrukturën e tubacioneve të gazsjellësve në ujërat ekonomike turke, si dhe të mbronte sigurinë e “lundrimit brenda kornizës së Marrëveshjes së grurit”.
Në deklaratën ruse thuhet se tre anijet e armikut janë shkatërruar dhe se sulmi ka ndodhur rreth 140 kilometra në verilindje të Bosforit. Turqia nuk iu përgjigj menjëherë pretendimeve të Rusisë.
Luftanijet dhe avionët rusë janë përfshirë në disa incidente në Detin e Zi që kur Moska nisi ofensivën e saj në shkallë të gjerë në Ukrainë në shkurt 2022.
Në mars, një dron ushtarak amerikan u rrëzua pas një incidenti që përfshinte një avion rus mbi Detin e Zi.
Moskva, flamurmbajtësja e flotës ruse në Detin e Zi, u mbyt në prill të vitit 2022 pas asaj që Kremlini tha se ishte një shpërthim në bord. Ukraina tha se forcat e saj e goditën atë me raketa.
Ukraina dhe Rusia korrikun e kaluar ranë dakord të lejojnë Kievin të eksportojë grurë përmes tre porteve të Detit të Zi që ishin bllokuar nga minat dhe anijet luftarake ruse.
Top Channel