Projekt-vendimi për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike, reagon ashpër ASA: Po shkelet rëndë ligji

27/05/2023 14:21

Këshilli i Ministrave ka formuluar projektvendimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike duke i kaluar asetet e këtij institucioni nën Akademinë e Shkencave.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), ka kundërshtuar vendimin për shkrirjen e kësaj akademie, me arsyetimin se po shkelen rëndë ligjet dhe parimet e lirisë akademike.

Përmes një deklarate për mediat, Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike thotë se me shkrirjen e Akademisë, shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Senati pretendon se  ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi  institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Në deklaratën për mediat, Senati i Akademisë rendit të gjitha pasojat nëse do të shkrihej ky instuticion.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u mblodh sot me urgjencë për të diskutuar raportin përfundimtar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Mbi kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” i datës 25.05.2023, i cili rekomandon mbylljen e veprimtarisë së këtij institicioni si institucion i arsimit të lartë të llojit “Akademi”. Veç kësaj, nga dita e djeshme ka qarkulluar në media një formë e Projektvendimit tëi Këshillit të Ministrave “Për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizmin e Njësive kryesore të saj”. Për sa më sipër, Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, pas mbledhjes së sotme doli me një deklaratë për shtyp ku sqarohet se Projektvendimi për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizminn e Njësive kryesore të saj shkakton sa më poshtë:

Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi  institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Deklarojmë se Senati vijimisht si dhe sot, është shprehur dhe shprehet kundër mbylljes së ASA-s.

Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.

Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.

Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.

Ndërpret karrierën e afro 100 studiueve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.

Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.

Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.

Sa më sipër, konstatojmë se ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj”-thuhet në deklaratën për shtyp.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA