Lista Serbe i shfrytëzoi trazirat e krijuara së fundi në veriun e Kosovës për të kërkuar ndërprerjen e procesit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Sipas kryetarit të forcës kryesore politike të serbëve në Kosovë, Goran Rakic, bisedimet duhet të “ngrijnë” të paktën derisa “të tërhiqen të gjitha forcat speciale”.
“I kërkojmë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic dhe qeverisë të ndërpresë ose të pezullojë çdo lloj dialogu deri në tërheqjen e të gjitha forcave të Policisë së Kosovës. Serbët nuk do të kthehen në institucione derisa të plotësohen kushtet e paraqitura më herët nga ta, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe largimin e njësive speciale nga veriu”, u shpreh Goran Rakiç..
Dialogu për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit, në të cilat partitë serbe nuk morën pjesë, u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë.
Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe nëntorin e vitit të kaluar. Kjo parti zgjodhi ta bojkotonte procesin pas vendimit të Prishtinës zyrtare për të kryer procesin e ri regjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe. Votimet u bojkotuan edhe nga popullata shumicë serbe në ato zona, e cila nuk i pranon rezultatet dhe kryetarët e rinj.
Top Channel