Nuk është e padëgjuar të bësh përpjekje të dëshpëruara për të gjetur një telefon të humbur, por një burrë nga India i çoi këto përpjekje në një nivel tjetër.
Një inspektor qeveritar i ushqimit në Indi është pezulluar pasi urdhëroi që të kullohej një rezervuar i tërë me miliona litra ujë, kur i ra pajisja e tij Samsung teksa bënte një selfie.
Sipas BBC, u deshën tre ditë që Rajesh Vishwas të gjente telefonin e tij. Por deri atëherë, telefoni ishte prishur dhe nuk mund të rregullohej më.
Vishwas është akuzuar për keqpërdorim të pozicionit të tij, pavarësisht se pretendonte se telefoni mbante të dhëna të ndjeshme qeveritare të cilat duheshin ruajtur.
Zyrtari qeveritar hodhi telefonin e tij prej 1200 dollarësh në digën Kherkatta, në shtetin qendror indian të Chhattisgarh.
Mediat indiane cituan një deklaratë të zotit Vishwas, në të cilën ai tha se kishte paguar për një pompë nafte, pasi zhytësit vendas nuk mund ta gjenin telefonin.
Ai tha se kishte marrë lejë nga një zyrtar për të derdhur ujë në një kanal aty pranë dhe madje tha se do t’i ndihmonte fermerët duke u dhënë më shumë ujë.
Gjatë disa ditëve, pompa zbrazi afërsisht dy milionë litra ujë përpara se një zyrtar tjetër që kishte marrë një ankesë, u shfaq për ta ndaluar atë.
“Ai është pezulluar derisa të mbyllet hetimi. Uji është një burim thelbësor dhe nuk mund të shpenzohet në këtë mënyrë,” tha Priyanka Shukla, një zyrtare e qarkut Kanker, për gazetën National.
Top Channel