Një 38-vjeçar, që dyshohet se ka plagosur me sëpatë fqinjin e tij në Pogradec, është vënë sot në pranga.
38-vjeçari me iniciale E.Sh. dyshohet se ka goditur 61-vjeçarin pas një konflikt banal mes të dyve. Pas arrestimit, autorit iu gjet dhe një thikë, që i është sekuestruar si provë materiale.
38-vjeçari do të hetohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Njoftimi i policisë:
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve profesionale policore, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 38 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se pasditen e djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (sëpatë), fqinjin e tij, shtetasin K. H., 61 vjeç, banues në Pogradec, i cili aktualisht merr ndihmë mjekësore, në spitalin e Pogradecit dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shërbimet e Policisë i gjetën 38-vjeçarit, nga kontrolli fizik, një tjetër mjet prerës (thikë), i cili iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Top Channel