Një gjyshe me aftësi të kufizuara vdiq nga uria dhe burri i saj u qëllua pasi qeveria britanike nuk arriti t’i largonte nga Sudani, thotë familja e tyre.
Alaweya Rishwan, 80 vjeç dhe Abdalla Sholgami, 85 vjeç, jetonin në një rrugë pranë ambasadës britanike në Khartoum, kur shpërtheu konflikti i armatosur muajin e kaluar.
Pasi kontaktuan Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, atyre iu tha se do të duhej të shkonin në një aeroport ku niseshin fluturimet e evakuimit.
Shumë të frikësuar për udhëtimin 25 milje jashtë qytetit, pasi ishte e gjitha një zonë lufte aktive, ata e humbën fluturimin e fundit më 3 maj.
Kur ju mbaroi ushqimi dhe uji, z. Sholgami u nis për të kërkuar ndihmë, por u qëllua tre herë nga snajperët.
Të afërmit e shpëtuan dhe e dërguan në anë n tjetër të qytetit për trajtim mjekësor, duke e ndarë kështu nga gruaja e tij.
Ajo u gjet e vdekur nga një zyrtar i ambasadës turke disa ditë më vonë dhe trupi i saj ende nuk mund të merret për varrim.
Mbesa, Azhaar Sholgami tha se fajin për vdekjen e saj e ka qeveria britanike, pasi zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar, ishin të vetmit që mund ta kishin parandaluar atë që ndodhi.
“Unë u informova se 100 trupa ushtarake shkuan për të evakuuar stafin e ambasadës i cili ndodhej shumë pranë shtëpisë ku banonte çifti. A nuk mund të shkonin t’i shpëtonin? Jam shumë e zhgënjyer prej tyre”, u shpreh Azhaar Sholgami.
Luftimet midis forcave të armatosura të Sudanit dhe një fraksioni të fuqishëm paraushtarak detyruan më shumë se 1.3 milionë njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre, sipas OKB-së.
Rreth një e katërta e tyre janë arratisur në vendet fqinje, ndërsa rreth 2,300 persona janë dërguar në Britani nga Zyra e Jashtme.
Top Channel