Katër persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale në Tiranë.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se specialistët e Komisariatit Nr. 2 kanë vënë në pranga një 35-vjeçar, pasi dyshohet se ka goditur me grusht kolegun e tij, një 39-vjeçar me inicialet O.K., si dhe i ka marrë atij celularin. Sherri ka ndodhur për motive të dobëta, sakaq është bërë arrestimi i të riut me inicialet B.T..
Po ashtu, tek Rruga e Elbasanit është bërë arrestimi i një 24-vjeçari me inicialet A.S. pasi ishte përfshirë ditën e djeshme në një aksident të shumëfishtë me 4 automjete të tjera. Si pasojë e përplasjeve, janë dëmtuar 3 shtetas, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër aksident ka ndodhur sot në Vorë, me pasojë plagosjen e një 37-vjeçari. L. M., 19 vjeç, ka qenë duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, kur ka humbur kontrollin dhe për pasojë, ka dalë nga rruga duke dëmtuar këmbësorin me iniciale T. K..
37-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. I riu u largua nga vendi i aksidentit, por si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u identifikua dhe më pas u bë arrestimi i tij.
Sakaq, po në Tiranë është arrestuar një 52-vjeçar me inicialet S. K., pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel