Personat me aftësi të kufizuara protestë para Bashkisë së Durrësit, i shkojnë në zyrë Sakos: Të shlyhen detyrimet për 2005-2010

26/05/2023 11:35

Personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre kanë protestuar për të disatën herë para Bashkisë së Durrësit për detyrimet e pashlyera për periudhën 2005-2010.

Një pjesë e mirë e tyre kanë fituar me gjyq të drejtën e përfitimit të detyrimit financiar që rrjedh për shkak të indeksimit të gabuar të pagesave të invaliditetit dhe kujdestarisë në atë periudhë, po bashkia e Durrësit nuk ka ekzekutuar vendimet bazuar në ligjin për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Sipas përfaqësuesit të tyre, Sokol Murataj borxhi nuk i kalon 170 mijë lekët, por dhënia e parave që u takon me ligj u mohohet prej vitesh pa të drejtë. Protestuesit tentuan të futen në bashkinë e Durrësit për të marrë një reagim nga drejtuesit e saj. Situata e krijuar çoi në realizimin e një takimi me kryetaren e bashkisë Emiriana Sako, e cila u ka kërkuar që të dorëzojnë vendimet e gjykatës dhe më pas përmes ministrisë përkatëse bashkia do të kërkojë lëvrimin e fondit për shlyerjen e këtij detyrimi të mbartur ndër vite.

Janë rreth 1 000 persona me aftësi të kufizuar në Durrës që kërkojnë shlyerjen e këtij detyrimi. Shumë prej tyre, në të gjithë vendin, i janë drejtuar gjykatave për të përfituar indeksimin e pensionit të invaliditetit, por edhe kur gjykatat u kanë dhënë të drejtë vetëm disa bashki i kanë shlyer këto detyrime që ua njeh statusi i personave me aftësi të kufizuar. Bashkia e Durrësit ende jo, duke rënduar më tej gjendjen ekonomike të kësaj kategorie vulnerabël të shoqërisë.

Familjarët e personave me aftësi të kufizuara thanë se jetojnë në kushte të vështira dhe po përballen me pamundësinë për të plotësuar edhe nevojat jetike, ndërsa ccmimet e ushqimeve dhe produkteve higjenike janë rritur ndjeshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA