Gjykata e Janinës lë në burg Laert Haxhiun/ Dërgohet në Korydallos, krimineli shqiptar kundërshton ekstradimin

26/05/2023 13:06

Gjykata e Janinës ka lënë në burg Laert Haxhiun, i cili po dërgohet në burgun e Korydallos deri në paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradimin e tij,

Sipas avokatit të tij, Haxhiu nuk i pranon akuzat për vrasjen në Lushnjë në vitin 2017 me dy të vdekur dhe dy të plagosur dhe nuk dëshiron të ekstradohet pranë autoriteteve shqiptare, por kërkon të qëndrojë në Greqi.

Sipas medias greke, çështja do të shkojë në Bordin e Apelit kompetent për të vendosur pro ose kundër ekstradimit të tij dhe më pas në Gjykatën e Lartë.

Shqiptari në kërkim për vrasjen e dyfishtë në vitin 2017 është arrestuar të hënën pas një ndjekjeje si nëpër filma nga oficerët e Janinës në shtetin fqinj.

Gjithçka ka nisur kur efektivët e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit të ndalojë në zonën e Eleuzës së Janinës. Ai nuk iu bind dhe i dha gaz makinës për t’u arratisur. Gjatë ndjekjes, mjeti, i cili nuk ka mundur të ndalojë me sinjalin e policisë, ka përplasur tre automjete, ka ngecur në semafor dhe më në fund është ndalur kur ka përplasur një bordurë dhe ka shpërthyer një gomë, duke shkaktuar hapjen e airbagëve. Më pas policia e ka arrestuar drejtuesin dhe dy pasagjerët e tjerë që ndodheshin me të.

Nga hetimet rezultoi se një nga tre të arrestuarit ishte shqiptari, i cili kërkohej si pjesëtar i një grupi kriminal dhe akuzohej për vrasje dhe tentativë vrasjeje në Shqipëri. Gjithashtu ndaj tij ishte shpallur “njoftimi i kuq” nga Interpoli.

Haxhiu qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Mbi të dënuarin me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Si ndodhi vrasja e dyfishtë në vitin 2017?

Në 11 tetor të vitit 2017, Xhulio Shkurti ndodhej në një lokal së bashku me shokët Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe Sajmo Xhelili. Aty afrohen me makinë dy persona të cilët hapin zjarr në drejtim të tavolinës duke lënë të vdekur në vend Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.

Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipin e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës. Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën ndërsa shënjestra e atentatit, Xhulio Shkurti mundi të shpëtonte.

Prokurorët e SPAK konkluduan se krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjës, në vitin 1998.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec. Ndërkohë Orges Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Një vit më parë, GJKKO dënoi me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA