Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët fillon procesin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm Ken Paxton

26/05/2023 19:23

Pasi për vite me radhë, ndaj emrit të Prokurorit të Përgjithshëm republikan të shtetit të Teksasit, Ken Paxton janë vërtitur skandale ligjore dhe etike, Dhoma e Përfaqësesve të këtij shteti që kontrollohet nga republikanët, i ka hapur rrugën një votimi për një proces shkarkimi që mund të çonte në largimin e shpejtë të tij nga detyra.

Akti i pazakontë dhe i përdorur rrallë vjen në ditët e fundit të sesionit legjislativ të këtij shteti dhe nis një betejë të ashpër politike.

Ajo vë përballë zotin Paxton, që është rreshtuar shumë pranë ish presidentit Donald Trump dhe konservatorëve të ekstremit të djathë të këtij shteti, me udhëheqjen e Dhomës së Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, të cilëve, mesa duket, në mënyrë të papritur, u është sosur durimi lidhur me akuzat për shkelje ligjore që kanë shoqëruar vazhdimisht prokurorin e përgjithshëm të shtetit të Teksasit.

Zoti Paxton ka thënë se akuzat janë bazur tek “fjalët dhe thashethemet, që i kanë bërë jehonë akuzave të pavërteta”.

Por si funksionon procesi i shkarkimit në shtetin e Teksasit, që mund ta bënte 60 vjeçarin republikan zyrtarin e tretë ndaj të cilit ndërmerret një proces shkarkimi, në historinë gati 200 vjeçare të këtij shteti?

PROCESI

Sipas ligjit dhe kushtetutës së shtetit të Teksasit, procesi i shkarkimit për një zyrtar shtetëror është i ngjashëm me procesin në nivel federal, akti nis nga Dhoma e Përfaqësuesve të shtetit.

Në këtë rast, Komisioni i Përgjithshëm i Hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve votoi në mënyrë unanime të enjten për t’i dërguar Dhomës së Përfaqësuesve dokumentet shkresore për 20 akuza ndaj zotit Paxton.

Hapi i radhës është votimi nga 149 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, ku për miratimin e akuzave kërkohet shumicë e thjeshtë. Republikanët kontrollojnë Dhomën me një shumicë prej 85 anëtarësh përballë 64 demokratësh.

Dhoma e Përfaqësuesve mund të thërrasë dëshmitarë, por komisioni hetimor e kreu një procedurë të tillë përpara se të miratonte akuzat. Komisioni u mblodh për disa orë mërkurën, në një seancë dëgjimore të jashtëzakonshme publike, duke dëgjuar prokurorët, të flisnin mbi dyshimet për skandale dhe shkelje ligjore për vite me radhë nga zoti Paxton.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve i miraton akuzat ndaj zotit Paxton, gjithçka zhvendoset tek Senati i shtetit të Teksasit, për një “gjyq” i cili do të përcaktojë nëse do ta largojë përfundimisht nga detyra zotin Paxton, apo do të rrëzojë akuzat ndaj tij, duke e shpallur të pafajshëm. Për shkarkimin nga detyra nevojitet një shumicë prej 2/3 e votave.

RREZIKU I PAPARASHIKUAR

Por ka një dallim të madh mes sistemit të Teksasit dhe atij federal: nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre zyrtarisht akuza, zoti Paxton pezullohet në mënyrë të menjëhershme nga detyra, derisa të mbarojë “gjyqi” në Senat. Guvernatori republikan Gregg Abbott do të kishte mundësinë të emëronte në vend të tij një zëvendësues të përkohshëm.

Në Teksas, republikanët kontrollojnë çdo degë të qeverisjes vendore. Deri këtë javë, ligjvënësit dhe udhëheqësit republikanë, kanë mbajtur një qëndrim të heshtur ndaj një morie rastesh mbi dyshime për abuzime me detyrën dhe shkeljesh ligjore nga zoti Paxton, të cilat janë shfaqur në dosje ligjore dhe njoftime mediatike, ndër vite.

Është e paqartë, se, kur dhe pse ,ndryshoi qëndrimi i tyre.

Në muajin shkurt, zoti Paxton pranoi të kërkonte falje dhe t’u paguante 3,3 milionë dollarë, nga paratë e taksapaguesve, 4 prej anëtarëve të personelit të tij, të cilët e kishin paditur atë për korrupsion, në 2020.

Pagesa duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, por kryetari Dade Phelan është shprehur se fatura nuk duhet të rëndojë mbi taksapaguesit. Menjëherë pasi u arrit marrëshja mes zotit Paxton dhe ish ndihmësve të tij për ta zgjidhur padinë pa kaluar në një vendim gjyqësor të formës së prerë, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve nisi hetimin ndaj zotit Paxton.

REPUBLIKANËT KUNDËR REPUBLIKANËVE

Komisioni prej 5 anëtarësh që kreu hetimet ndaj zotit Paxton drejtohet nga kolegët e tij republikanë, ndryshe nga rastet e fundit të ngjashme të proceseve të shkarkimit, në Shtetet e Bashkuara.

Proceset e shkarkimit ndaj ish presidentit Trump në vitet 2020 dhe 2021 u drejtuan nga demokratët, që kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Në të dyja rastet, akuzat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve, u rrëzuan në Senat, ku republikanët kishin votat e nevojshme për të bllokuar largimin e zotit Trump nga posti.

Në Teksas, republikanët kontrollojnë të dyja Dhomat me një shumicë të thellë dhe udhëheqësit republikanë të shtetit kontrollojnë të gjitha levat e ndikimit. Por kjo nuk e ka penguar zotin Paxton që të kërkojë të gjejë mbrojtje nga të dyja palët politike.

Kur u bënë publike gjetjet e hetimit të martën, zoti Paxton sugjeroi se ky ishte një sulm politik nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Dade Phelan. Ai bëri thirrje që “liberali” Phelan të dorëhiqej nga detyra dhe e akuzoi atë se kishte qenë në gjendje të dehur, gjatë seancës dëgjimore maratonë të ditës së premte.

Zyra e zotit Phelan i mohoi akuzat duke i cilësuar ato si një përpjekje të zotit Paxton për t’u shfajësuar. Që prej atij momenti, asnjë prej zyrtarëve të tjerë të lartë republikanë nuk ka dalë në mbështetje të zotit Paxton.

Përmes një deklarate të lëshuar të enjten, zoti Paxton i cilësoi procedurat për shkarkimin e tij si një përpjekje për t’i mohuar të drejtën e votës zgjedhësve, që i dhanë atij një mandat të tretë në nëntor të vitit të shkuar.

“GJYQI” NË SENAT DHE VOTA E BASHKËSHORTES SË TIJ

Por zoti Paxton, i cili shërbeu për pesë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një në Senat, përpara se të bëhej prokuror i përgjithshëm, me siguri do të ketë ende aleatë në kryeqytetin e Teksasit, Austin.

Një prej tyre mund të jetë bashkëshortja e tij, Angela, një senatore shtetërore me dy mandate, e cila mund të vendoset në pozitën e vështirë për të votuar për të ardhmen politike të burrit të saj.

Është e paqartë nëse ajo do të donte, ose do duhej të merrte pjesë në gjyqin e Senatit, ndërsa vendimi ndahet nga një diferencë e ngushtë votash.

Ndërkohë, procesi i shkarkimit të zotit Paxton trajton edhe një marrëdhënie jashtëmartesore, që ai e ka pranuar para personelit të tij, disa vite më parë.

Mes akuzave ndaj tij është edhe ajo e rryshfetit për një nga donatorët e zotit Paxton, pronari i pasurive të paluajtshme Nate Paul, i cili dyshohet se ka punësuar gruan me të cilën ai ishte në lidhje jashtëmartesore, në këmbim të ndihmës ligjore.

SI U ARRIT DERI KËTU?

Procesi i shkarkimit i ka fillimet në vitin 2015, kur ndaj zotit Paxton u ngritën akuzat për mashtrime lidhur me letrat me vlerë, për të cilat ai ende nuk ka dalë në gjyq.

Por shumica e dokumentave shkresore për akuzat ndaj tij rrjedhin nga lidhjet e zotit Paxton me zotin Paul dhe nga një revoltë e jashtëzakonshme nga tetë ndihmës të lartë të prokurorit të përgjithshëm, në 2020.

Vjeshtën e atij viti, tetë ndihmës të zotit Paxton e raportuan shefin e tyre tek FBI-ja, duke e akuzuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën për të ndihmuar sipërmarrësin Paul. Katër prej ndihmësve më pas ngritën një padi ligjore.

Raportimi çoi në nisjen e një hetimi penal federal, që në shkurt kaloi në Seksionin e Integritetit Publik, në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara me bazë në Uashigton.

Procesi i shkarkimit përfshin në mori akuzash në lidhje me marrëdhëniet e zotit Paxton me zotin Paul. Akuzat përfshijnë përpjekje për të ndërhyrë në paditë e sekuestros dhe nxjerrjen e opinioneve ligjore në dobi të zotit Paul, si dhe shkarkimin, ngacmimin dhe ndërhyrjen ndaj anëtarëve të personelit që raportonin mbi atë që ndodhte.

Akuzat për rryshfet rrjedhin nga kjo marrëdhënie e tyre si edhe nga dyshimet se sipërmarrësi ka paguar për rinovime të kushtueshme të shtëpisë së zotit Paxton në Austin.

Këto zëra shkaktuan dëme në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit, prej kohësh një nga sfiduesit kryesorë ligjorë të administratave demokrate të Shtëpisë së Bardhë.

HISTORIA E TEKSASIT

Zoti Paxton tashmë kishte të ngjarë të hynte në librat e historisë për kërkesën e tij të paprecedentë që Gjykata e Lartë e SHBA të përmbyste fitoren e zotit Biden ndaj zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai tani mund të bëjë histori në një mënyrë tjetër.

Deri më tani, Dhoma e Përfaqësuesve të shtetit të Teksasit ka nisur proces shkarkimi vetëm ndaj dy zyrtarëve në detyrë.

Guvernatori James “Pa” Ferguson u shkarkua nga detyra në 1917 për keqpërdorim të fondeve publike, përvetësim dhe devijimin e një fondi të veçantë.

Gjykatësi i shtetit O.P. Carrillo u detyrua të largohej nga detyra në vitin 1975 për përdorimin e parave dhe pajisjeve publike për interesa personale dhe për paraqitjen e deklaratave të rreme financiare./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA