Ish-kryeministri Sali Berisha është kundër votimit të projektligjit për rritjen e pagave në institucionet shtetërore.
Berisha konsideron domosdoshmëri vendosjen e minimumit jetik.
“Në qoftë se ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, ka qenë ngrirja e rrogave. Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1% ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT-it, se po të përllogariten me llogaritjen e EuroStat, ju garantoj që rënia është edhe më e madhe se kaq. Pra, dje kam insistuar që ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. E përllogaritur në mënyrë të paanshme me specialistë, kompetentë të fushës, nga avokati i popullit, duhet të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate të rëndë, këtij mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri.
Në vend që të fillonte me vendosjen e minimumit jetik, që do i jepte përgjigjen përfundimtare ndihmës ekonomike, pensioneve nën 200 euro dhe bënte një zbutje të mjerimit, minimumi jetik zhduk mjerimin në kuptimin e varfërisë ekstreme. Ishte një masë plotësisht e mundshme, kur dihet që qytetarëve u vidhet nga pushtetarët çdo vit pothuajse dyfishi i fondit të përgjithshëm të pagave”.
Rritja e pagave, thotë deputeti demokrat, duhet të bëhet nga poshtë lart dhe jo anasjelltas.
“Nëse themi që paga mesatare do të dyfishohet, hajde bëjmë minimumin jetik njëherë. Pastaj rritja e rrogave të bëhet nga poshtë – lart dhe jo nga lart – poshtë. Paga maksimale e një vendi nuk është më shumë se 4-5 herë më e lartë se paga mesatare. Këtu po shkon 10 herë në këtë mënyrë”.
Top Channel