Kryeministri Edi Rama deklaron se deri në prillin që vjen, paga mesatare në Shqipëri parashikohet të mbërrijë në vlerën 900 euro.
Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se Shqipëria nuk ndodhet sot në të njëjtin nivel me rajonin për shkak të problemeve të njëpasnjëshme me të cilat është përballur, si tërmeti, pandemia dhe agresioni i luftës.
“Me votimin e sotëm i hapim rrugë një procesi që në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare. Sigurisht që do rriten edhe pagat e tjera, por me këtë që po bëjmë sot ne ngjitemi në shtetet më të paguara të rajonit.
Të tjerat janë dokrra hiri. Po pse nuk e kemi bërë më para dhe pse sot nuk jemi në të njëjtin nivel me rajonin? Për të vetmen arsye se ne jemi përballur me situata që rajoni si ka pasur. Tërmeti ndodhi në Shqipëri jo në rajon. Pastaj erdhi pandemia, pastaj agresioni i luftës.
Ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin se sot për të gjitha familjet dhe biznesi, por kryeshisht biznesin e vogël, funksionon dora e qeverisë. Ajo që paguajnë familjet shqiptare dhe biznezi i vogël nuk është vlera e plotë e faturave. Ajo që ata paguajnë ata është vlera e faturave para pandemisë. Me të vërtetë ra çmimi i energjisë ndërkombëtarisht por jo në këto vlera.
Nëse këtu do të kishim të bënim me një ekonomi lënguese apo një pasqyrë që na vihet përpara sa herë që ka parlament, si puna e asaj specie që donte të zbukurohej dhe mori nga klafshët nga një gjë të bukur duke përfunduar një monstër, rritja e pagave s’mund të ndodhi”– tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, rritja e pagave është një faktor i pamohueshëm.
“Është e kotë të bëjmë debat, e lagu s’e lagu, përballë faktit që kjo shumicë qeverisëse po e bën rritjen më të lartë të pagave dhe po bën kapërcimin e shumëdëshiruar për të cilin jemi përpjekur përballë të papriturave dhe fatkeqësive që nuk i kemi zgjedhur ne.
Shqipëria me pagë mesatare 900 euro është një Shqipëri tjetër, të cilën kemi çdo muaj që e ndërtojmë. Gjëja që po bëjmë duke rritur pagat, është një faktor i pamohueshëm”– tha Rama.
Top Channel