Kryeministri Edi Rama tha se do ta votojë kundër projektligjin për rritjen e pagave që pritet të miratohet sot në Kuvend.
Ai nuk është dakord me rritjen menjëherë të pagës për deputetët dhe ministrat, ndërsa thekson se duhet të hyjë në fuqi vetëm kur të miratohet e gjithë paketa e rritjes, deri tek personi i fundit në vend.
Rama u shpreh se paga duhet të jetë në formë piramidale, ndërsa sfidoi deputetët e opozitës se nëse kanë kundërshtime, deputetët dhe ministrat të marrin vetëm pagën minimale.
Rama: Unë jam kundër, unë nuk e votoj këtë pikë, paga duhet të vendoset sot dhe të hyjë në fuqi kur të bëhet rritja deri tek më i fundit, nëse mësuesve u themi që do e merrni sot këtë rritje dhe rritjen tjetër, për deputetët dhe ministrat paga duhet të hyjë në fuqi vetëm kur të jetë për të gjithë, për solidaritet dhe për atë që kush merr më shumë duhet të bëjë më shumë. Je nuk mund të bëjmë një gjë të pakuptimtë, disave kështu, disave ashtu, gjëja e parë që duhet të bëni këtu është që kur të vini këtu duhet të llogarisni nervat e popullit. Nuk ju shpëton dot asnjë baltë që hidhni këtu.
Kreu i qeverisë tha se është bërë një gabim në sektorin e drejtësisë, pasi prokurorët nuk mund të paguhen sa presidenti i vendit.
Rama: Kemi bërë ne një lajthitje që e kemi bërë me vetëdije, madje e kemi tepruar me lajthitjen tonë në sistemin e drejtësisë, por edhe është bërë edhe s është bërë, s’mund të kemi prokurorë që paguhen sa presidenti, mund ta kenë punën më me stres, po nuk ka kështu. Nëse doni t’i shkojmë deri në fund çfarë stresi më të madh keni ju se sa ata që shkojnë punojnë në fason? Unë mendoj që nuk i hyet këtij monopati. Shqiptarët kush i merr për budallenj dhe për kollaj mund të gënjejë për disa. Ju e keni treguar që nuk e bëni dot, meqë doni të hyni këtu urdhëroni, sa herë rritet paga minimale rritet edhe paga e deputetëve, ndërkohë që poziciono im ka qenë dhe mbetet. Krahasohemi me rajonin, në rajon janë po kështu, se kemi parë që pagat e deputetëve të jenë sa pagat e mësuesve. E ka bazën tek e gjithë pabesia historike. Politika nuk është kjo, është ajo që bëjmë ne, si e bëjmë ne ashtu është politika, këtë që e keni mbjellë 30 vjet nuk mund ta korrni ju duke thënë do ia jap pagën time jetimores. Unë njoh për fat të mirë, në këtë grup njerëzish, e meritojnë këtë pagë me respekt, nuk janë një dy, këtu nuk është vendi i kriminelave, i drogaxhinjve, nuk është vendi i llumit, është një vend njerëzish normale që për 1 mijë arsye janë këtu.
Kreu i qeverisë nuk la pa ironizuar premtimin e deputetit të opozitës, Dashnor Sula, i cili tha se shtesën e pagës do ta çojë për Shoqatën e Jetimëve në Peqin.
“Vdeksha unë! Vdeksha ynë për ty që do ia çosh shtesën e pagës jetimores ti! Vdeksha unë për ty, jetimi im i dashur! Kështu që ky është qëndrimi im! Unë për rritjen e pagave jam shumë krenar dhe dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë deputetët sepse është puna e deputetëve në radhë të parë e gjithë këtyre viteve, sepse është rezultat reformash, është rezultat ligjesh, është rezultat përpjekjesh, dua të falënderoj të gjithë anëtarët e kabinetit qe kanë punuar qysh nga dita e parë e vitit 2013 deri më sot, se ky është rezultat i përpjekjeve shumë të madhe dhe dua t’ju them që tek pika e pagës për deputetët dhe për ministrat , mua më keni kundra që ajo të hyjë menjëherë”, tha Rama.
Këtë të enjte në Kuvend pritet të miratohet projektligji për rritjen e pagave të Presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe nëpunësve të administratës publike.
Dy projektligjet që i hapin rrugën rishikimit të pagave për herë të parë në administratën publike që nga vitit 2006 kaluan të martën në Komisionin e Ekonomisë.
Përveç administratës janë rishikuar edhe pagat e funksionarëve të lartë dhe titullarëve të institucioneve të pavarura, koeficentët e pagave të të cilëve do të shumëzohen më pagën e re të Presidentit prej 425 000 lekësh.
Më të paguarit në administratë pas presidentit do të jenë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit me pagën 393 mijë e 125 lekë, më pas zv/kryeministri me 330 mijë lekë, ministrat me nga 318 750 lekë dhe deputetët me 310 250 lekë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare
Në radhë të parë jam shumë i impresionuar nga kuraja e parafolësve për të adresuar parlamentin në emër të shqiptarëve. Në emër të shqiptarëve flasin shqiptarët dhe ata, të cilët shqiptarët i mandatojnë për të folur, por kur shqiptarët sapo kanë folur, s’është bërë akoma java e dytë, dhe kanë folur aq qartë sa natyrisht kanë tronditur një pjesë të atyre që fatkeqësisht janë një pjesë e atyre që s’duan të dëgjojnë, është shumë komike që të flitet në emër të shqiptarëve. Flitet në emër të shqiptarëve që braktisën politikën, braktisën zgjedhjet apo në emër të të rinjve që ishin të pakët në votime, por pasqyra e pjesëmarrjes flet pak më ndryshe. Shqiptarët nuk kanë braktisur të gjithë ne, shqiptarët kanë braktisur një pjesë nga ne. Përsa i takon pjesës që së bashku me të gjithë deputetët në krahun e majtë që unë përfaqësoj, shqiptarët jo vetëm që nuk na kanë braktisur, por na kanë mbështetur më shumë se asnjëherë më parë. Dhe kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se nuk është një fenomen karakteristik i zgjedhjeve vendore. Në zgjedhjet vendore dihet botërisht për të gjithë ata që ndjekin historikun e tyre dhe historikun e shifrave, partitë e mëdha bien tek vota për subjektin politik, dhe partitë e tjera rriten tek vota për subjektin politik si rezultat i një numri shumë të madh kandidatësh për këshilla dhe si një rezultat i një vote, e cila sa më shumë të shkosh në komunitete me të vogla, është e lidhur me personin.
Ja që këtë herë ka ndodhur ndryshe, prandaj braktisësit e të gjitha moshave, përfshirë dhe të rinjtë, kërkojini në radhë të parë tek mënyra se si e kuptonin këtë botë, tek mënyra se si e lexoni Shqipërinë, tek mënyra se si e interpretoni situatën ne Shqipëri dhe tek mënyra se si flisni për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo është një këshillë e pa kërkuar që unë ua kam dhënë që në seancën e parë të kuvendit të mandatit tonë të parë kur unë paraqita programin tonë për herë të parë, dhe fjalëmarrësi i parë pas fjalës sime kërkoi dorëheqjen e qeverisë, që atëherë, kështu që përsa na takon ne do të vazhdojmë vetëm përpara. Sot jam shumë i lehtësuar për hir të së vërtetës sepse vijmë për të kaluar një projekt, të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe për të cilin kem luftuar çdo ditë të këtyre viteve. E kemi marrë këtë vend, kur tabela e klasifikimit ishte si vijon; 259 euro paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 euro, Maqedonia e Veriut e kishte 504 euro, Serbia e kishte 537 euro dhe Mali i Zi e kishte 726 euro. Kemi qenë jo thjeshtë të fundit, por të fundit me diferencë. Sot tabela është si vijon. Kosova 504 euro, Maqedonia e Veriut 705 euro, Serbia 763 euro, Bosnje-Hercegovina 890 euro, Mali i Zi 792 euro dhe me votimin e sotëm, ne i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, pra në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare.
Sigurisht që edhe të tjerët do rriten në raport me këtë, por sipas të gjitha gjasave me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit. Kjo është ajo që po bëjmë sot ne. Të tjerat janë dokrra hini kur thoshte At Gjergj Fishta, të njëjta dokrra që kemi dëgjuar qysh kur kemi filluar punën dhe qysh kur i kemi filluar këto përpjekje. Pse nuk e kemi bërë më parë dhe pse sot nuk jemi në të njëjtin nivel me rajonin? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne na është dashur të përballemi me situata, të cilat rajoni nuk i ka pasur, tërmeti ka rënë në Shqipëri nuk ka rënë në rajon. Situata dramatike dhe mjafton të shikohet sesa të ardhura kemi spostuar ne për të sistemuar në shtëpi dhjetëra mijëra familje, për të kuptuar që pse kjo nuk u bë u krijuan mundësitë që të bëhej.
Pastaj erdhi pandemia, pastaj erdhi agresioni i luftës dhe po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin, që sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe për biznesin e vogël por edhe për pjesën dërrmuese të biznesit të jetë dora e qeverisë.
Ajo që paguajnë familjet nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte dhe qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të vazhdojë të paguajë, ndërkohë që me ardhjen e verës, konsumi do të rritet në mënyrë të ndjeshme përsëri dhe ne do të duhet të hapim diskutimin e fashës.
Por sot për sot, jemi ne këto kushte që vazhdojmë të paguajmë dhe është një sasi e madhe parash.
Prandaj, nëse këtu do të kishim të bënim me një ekonomi lënguese, nëse këtu do të kishim të bënim me një pasqyrë si ajo që na vihet përpara sa herë që ka një seancë parlamenti, ku merret një shifër këtu e një shifër atje, si ajo përralla e asaj species që donte të zbukurohej dhe mori nga të gjitha kafshët nga një gjë, dhe pastaj doli një mostër, atëherë sigurisht që kjo rritje pagash nuk mund të bëhet. Por e vërteta e thjeshtë fare, është që ekonomia është rritur, ndryshe nga çfarë është thënë këtu dhe ndryshe nga çfarë parashikonin ata, të cilët, thashë, jetojnë me pasqyra të tilla. Papunësia është nën nivelet e para pandemisë. Konsumi është rritur. Pra ajo përvuajtja lënguese këtu që nuk po blejnë dot njerëzit, nuk provohet në shifrën e konsumit. Është i rritur. Eksportet janë rritur. Dhe të gjitha këto nuk janë opinione, nuk janë as shifra të nxjerra nga mënga sipas qejfit. Këto janë shifra të thjeshta që i gjen në çdo raport dhe i gjen në çdo tabelë. Kështu që, është e kot fare që sot të bëjmë debat e lagu apo nuk e lagu, përballë faktit kuptimplotë që kjo shumicë qeverisëse po bën rritjen më të lartë historike të pagave dhe po bën kapërcimin e madh të shumëpritur, të shumëdëshiruar dhe për të cilin jemi përpjekur dhe kemi këmbëngulur dhe kemi duruar jashtëzakonisht shumë përballë situatave të papritura, befasive dhe fatkeqësive që nuk i kemi sjellë ne, por na kanë zgjedhur ne. Shqipëria me pagë mesatare 900 euro është një Shqipëri tjetër. Thjeshtë fare! Dhe këtë Shqipëri tjetër kemi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit që e ndërtojmë. Një Shqipëri tjetër, e cila sot pa asnjë shtysë, pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht çdo javë në faqet e mediave më prestigjioze ndërkombëtare si destinacioni për t’u zbuluar, si destinacioni për t’u vizituar. Merrni shikoni shifrat vetëm të aeroportit të Rinasit, se çfarë ndodh në aeroportin e Rinasit për të kuptuar se çfarë Shqipërie është kjo sot, në krahasim me Shqipërinë dje. Dhe të gjithë ata që vijnë në aeroportin e Rinasit janë konsumatorë, nuk vijnë me bukë me vete. Janë konsumatorë, janë eksporti më i madh i Shqipërisë dhe turizmi është eksport. Dhe në këtë Shqipëri është koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk mbaron këtu, por këtu ndalojmë një moment për të vlerësuar faktin. Dëgjoj që pagat në sektorin privat nuk i rrit shteti. Kjo është e vërtetë, por ama janë dy gjëra që ne kemi bërë dhe është një gjë që po ndodh. Gjëja që ne kemi bërë duke shtyrë pagën minimale sigurisht që është një faktor i pamohueshëm dhe gjëja që ne po bëjmë duke rritur pagat në sektorin publik patjetër që është një faktor i pamohueshëm. Dhe të dy këta faktorë bëjnë që pagat në sektorin privat të jenë në rritje të përditshme, por që t’i shohësh duhet t’i kërkosh. Dhe që t’i kërkosh duhet të duash t’i kërkosh dhe nuk mund të duash ti kërkosh në qoftë se kërkon që t’i besh shqiptarët të shohin diçka që ti do ta shohin siç e sheh ti.
Nuk ka pasur përgjigje më spektakolare nga shqiptarët sesa ajo e 14 majit, për të gjithë! Për të gjithë! Spektakolare! Por mbi të gjitha, që te jemi shumë të qartë, më shumë sesa fitorja jonë, ajo është disfata absolute e politikës që bartet nga gjithë ju që vini këtu dhe këndoni dokrrat tuaja. Ajo është më absolutja. Po e morët vesh, merreni. Po se morët vesh, faleminderit shumë se herën tjetër do jetë edhe më keq për ju, jo për Shqipërinë, jo për shqiptarët. Tani përsa i përket hyrjes për pagat një pas një. Nuk diskutohet që ne jemi në kushtet sot kur duhet të kuptojmë dhe duhet ta kuptojnë të gjithë jo vetëm qeveria se Europa ka filluar një luftë. Një luftë, e cila do të behet çdo ditë më e pamëshirshme që të kujton atë shprehjen “ peshku i madh do hajë të voglin me çdo çmim dhe robi do jetë ujk për robin”. Shtetet do jenë ujq për shtetet sepse demografia e Europës është në kushtet që po i afrohet një tragjedie të kontinentit. Rënia eksponenciale e lindjeve në vendet më të zhvilluara të Europës ka ardhur sot në pikën ku po reflektohet në tregun e punës dhe ku vendet më të zhvilluara janë në situatën që ose duhet të rrëmbejnë nga të katërta anët, ku të munden krahë pune për të kompensuar boshllëkun ose duhet të pranojnë perëndimin e suksesit ose fillimin e falimentimin e tyre, që nga Gjermania, lokomotiva e Europës dhe superfuqia e kontinentit, e cila deri në vitin 2030 ka nevojë për 7 milionë punëtore jashtë sistemit të demografisë gjermane. 7 milionë që duhet të vijnë me çdo kusht nga jashtë.
Dhe kur them punëtorë në të gjitha, ne të gjitha, jo thjeshtë në një lloj pune. Dhe ligji që ka kaluar Gjermania para pak javësh duhet të ngulet në kokën e të gjithë atyre që merren me politikë dhe me politik bërjen në Shqipëri. Është një ligj që hap dyert e Gjermanisë për krah pune nën 35 vjeç të pakualifikuar. Kurrë më parë një shtet nuk ka bërë një ligj për punonjës të pakualifikuar. Gjithmonë prirja ka qenë kualifikime dhe specifike “në këtë sektor, në këtë sektor”. Nëse kthehemi pak mbrapa kur ka filluar kjo situatë do të shikojmë që fillimisht ishin ata që kishin njohuri digjitale, pastaj filloi të zgjerohej me ata që kishin njohuri profesionale të nivelit teknik. Sot është hapur totalisht dhe kjo do të jetë tendenca e përditshme në Europën ku jetojmë ne. Dhe përpjekja jonë është një përpjekje titanike që duhet të bëjmë për ta përballur këtë situatë. Kënga “po ikin, po ikin, po ikin” është një këngë që është turpi më i madh i kujtdo që e këndon nga pozitat e politikëbërësit. Nuk ka një motiv më të turpshëm sesa ky për ata që janë politikëbërës. E para sepse kjo nuk është një arsye fare për luftëra të brendshme, ashtu sikurse kjo nuk është një çështje, e cila mund të zgjidhet më mirë nga një palë apo nga pala tjetër. Kjo nuk ka lidhje fare me asnjërën nga palët. Ky është impakti dramatik i produkteve të globalizmit, të cilat arrijnë sot të penetrojnë deri në fshatin më të largët dhe në zonën më të thellë, kudo ku ka një pasqyrë “i-phone” dhe në momentin kur ato penetrojnë aty, ti kërkosh ose të pretendosh që ai njeriu atje të presë zhvillimin gradual dhe ndërkohë që 1 orë e gjysmë, 2 orë, 3 orë larg ka atë gjënë që sheh atje, është krejtësisht e palogjikshme përveçse është dhe qesharake.
Qasja duhet të jetë krejt tjetër dhe jam i bindur që me qasjen tonë, gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur në aspektin e një balancimi, jo të ndalimit të kësaj gjëje. Këtë gjë s’e ka ndaluar askush. Veneto është rajoni më i pasur i Italisë dhe guvernatori i Venetos problemin më të madh ka largimin e mjekëve nga Veneto për në Gjermani e për në vendet e veriut. Veneto! Mjekët dhe infermierët janë problemi më i madh i Italisë fqinje sot, ndërkohë që ne, po ju them dhe këtë e tregojnë shifrat, kemi largime, por nuk kemi ende asnjë boshllëk. Asnjë! Me politikën që po bëjmë tani, plus dhe me politikën tjetër që është përtej kësaj të pagave nominale për të gjithë. Me politikën e pagave të diferencuara me kontrata të përkohshme në bazë të aftësive, këtu do jemi dhe do ta shikojmë shpejt rezultatin dhe do shikojmë që jo vetëm që largimet do t’i kemi tërësisht të balancuara, se largimet janë dhe për arsye studimesh, janë dhe për arsye që nuk lidhen vetëm me faktin që po shkoj të punoj atje, ndërkohë që nuk do kemi asnjë boshllëk. Përkundrazi! Do të arrijmë të angazhojmë edhe mjekët jashtë vendit, për të punuar brenda vendit, pa pasur nevojë të vijnë të jetojnë këtu në këtë vend. Nuk po hyj në të gjitha ato që u thanë dhe do thuhen për pagat nominale, po kthehem pak te kjo e pagave të deputetëve dhe ministrave sepse është nga njëra anë shumë hipokrizi e madhe çfarë dëgjova më parë. Një hipokrizi për të vënë duart në kokë pasi nivelet e pagave nuk përcaktohen sipas qejfit. Nivelet e pagave përcaktohen me një logjikë që është logjika e një ekspertize të caktuar dhe ka një piramidë pagash. Këto të gjitha po ua u them si dikush që i ka mësuar dhe ja u kam thënë, unë kur flas, flas gjëra që i mësoj shumë mirë për fushën që unë nuk di, që do të thotë që nuk mund të ndërtosh një piramidë pagash dhe të vendosësh Presidentin e Republikës nën një mësues. Pavarësisht se puna e përditshme e një mësuesi mund të jetë më me stres sesa puna e përditshme të Presidentit të Republikës.
Kemi bërë ne një lajthitje. Një lajthitje që e kemi bërë me vetëdije, madje e kemi tepruar me lajthitjen tonë me sistemin e drejtësisë. Po ajo është bërë dhe ajo nuk zhbëhet. Është lajthitje sepse nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se Presidenti. Thjesht nuk mund të kemi. Mund ta kenë punën shumë më me stres se Presidenti, por nuk mund të kemi. Nuk mund të kemi gjykatës që paguhen më shumë se ministri i Drejtësisë. Mund ta kenë punën shumë më me stres se ministri i Drejtësisë, por nuk mund të kemi se nuk ka kështu. Doni ju të bëni këtë qarjen e halleve? S’ka nevojë ju, që shtesën e pagës t’ia çoni jetimoreve. Hajde vendoseni pagën minimale këtu për deputetët. Deputetët të paguhen me pagë minimale. Gati jam unë! Edhe ministrat! Hajde! Në qoftë se doni t’i shkojmë deri në fund logjikës që të gjithë janë në punë dhe të gjithë janë në halle që janë më të mëdha sesa punët dhe hallet tuaja, atëherë çfarë stres më të madh keni ju sesa ata që shkojnë punojnë në fason? Hajde vendosim! Unë mendoj që nuk i hyhet këtij monopati për të marrë nëpër këmbë dhe për t’u tallur me ata që na ndjekin dhe prapë ju nuk e mësoni që me shqiptarët, kush i merr për budallenj dhe kush i merr për kollaj, mund të gënjejë disa, për një farë kohe. Ajo fara e kohës mund të shkojë dhe 30 vjet, por vjen një ditë siç erdhi në Shkodër dhe pastaj firojnë ata. E nëse do të vazhdoni këtë, që unë uroj ta vazhdoni se unë nuk hyj tek ata që mendoj që pluralizmi dhe demokracia po kërcënohet se ju po ikni për pambuk. Unë mendoj që ju duhet të ikni për pambuk në qoftë se ne duam të kemi një skemë politike ashtu siç e meritojnë shqiptarët sepse ju e keni treguar që nuk e bëni dot. Meqë doni të hyni këtu, urdhëroni hajdeni, paga minimale dhe sa herë rritet paga minimale, rritet dhe paga minimale, rritet dhe rroga e deputetëve automatikisht. Unë jam shumë dakord. S’kam asnjë problem.
Ndërkohë që, pozicioni im ka qenë dhe mbetet sot që flasim, që pagat duhet të jenë siç janë në piramidën e propozuar dhe siç i ka gjithë bota. Krahasohemi këtu me rajonin, se ne nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë, në rajon janë po kështu. Nuk kam parë asnjë vend që pagat e deputetëve t’i ketë sa pagat e mësuesve apo të mjekëve. Nuk kam parë. Nuk kam parë asnjë vend të Europës. Nuk kam parë askund! Ideja që deputetët mblidhen kot dhe janë kot, e ka bazën te gjithë pabesia historike që Partia ish-Demokratike i ka bërë politikës me gjithë atë llum, me gjithë ato akuza, me gjithë ato shpifje, me gjithë ato maskarallëqe, me gjithë atë transformim të gjuhës, nga gjuha normale e prindërve, e njerëzve me shkolla, e intelektualëve, e akademikëve që ju të gjithë jeni në jetën normale, në një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me asgjë nga ato që ju doni që fëmijët tuaj të mësojnë. Kurrë! Askush nga ju nuk ia pranon një fjali nga mijëra fjalimet tuaja këtu, të nxjerrë nga goja e fëmijës në shtëpi. Dhe pse?! Se keni atë që kjo është politika. Jo, politika nuk është kjo. Politika s’është kjo fare! Politikë është ajo që bëjmë ne! Si e bëjmë ne, ashtu është politika dhe këtë që keni mbjellë 30 vjet, nuk mund ta korrni dot ju duke thënë “do t’ia jap pagën time jetimores”. Çfarë janë këto? Pagat, piramida e pagave duhet të jetë ekzakt siç është propozuar sepse ka logjikën e vetë dhe për mua, unë njoh për fat të mirë, nuk vij nga hëna, unë njoh këtu në këtë grup, njerëz që e meritojnë atë pagë dhe e meritojnë atë pagë me respekt, jo thjesht e meritojnë. E meritojnë me respekt dhe nuk janë një apo dy. Po ja u them unë. Mund të mos jenë të gjithë, po nuk janë një e dy. Njerëz të cilët me atë pagë jetojnë se ky nuk është vendi i kriminelëve, ky nuk është vendi drogaxhinjve, ky nuk është vendi i narkotrafikantëve, ky nuk është vendi i hajdutëve, ky është një vend ku mund të ketë me siguri edhe ndonjë që nuk duhet të jetë këtu fare, po duhet të ishte me kohë në fakt prapa diellit me siguri, por ky nuk është vendi i llumit. Ky është një vend njerëzish normal të cilët për një mijë e një arsye kanë ardhur këtu dhe këtu fus edhe gjithë pjesën tuaj më të madhe. Fakti që këtu pastaj shpërfytyroheni, çmendeni dhe ktheheni në bisha që doni të hani mish njeriu, nuk ka lidhje me të vërtetën. E vërteta është që deputetit për misionin që ka, për punën që i kërkohet dhe për çfarë duhet të bëjnë për të gjithë ata që i zgjedhin, meritojnë pagën e propozuar. Kjo nuk diskutohet. Sa e bëjnë punën? Sa përmbushin misionin? Këto nuk lidhen me si vihet paga, ama unë në një gjë jam kundër. Prapë sot po ju them. Unë nuk e votoj këtë pikë. Le të bëhet çfarë të dojë, unë vetë nuk e votoj. Për mua paga duhet të vendoset sot dhe duhet të hyjë në fuqi ditën që bëhet rritja e pagës deri tek më i fundit. Pra nëse mësuesve dhe mjekëve të përgjithshëm dhe shumë të tjerëve iu themi që ju do të merrni sot këtë rritje dhe rritjen tjetër do ta merrni në harkun e vitit dhe paga juaj do të jetë e plotë, e rritur dhe ne do të kemi mesataren 900 euro në Shqipëri ne mes të vitit të ardhshëm, atëherë për deputetët dhe për ministrat paga duhet të hyjë në fuqi dhe duhet të vijë në llogaritë e secilit vetëm kur të jetë bërë për të gjithë. Ky është qëndrimi im. Përpara kësaj, unë mendoj që është e pamoralshme. Këtu po, unë jam dakord. Për solidaritet dhe për atë që kush merr më shumë duhet të bëjnë më shumë, ky është principi jonë. Unë e kam bërë debatin e parë që të jemi shumë të qartë, që s’duhet të jetë piramidë, por e mësova se njeriu mëson kur nuk do të flasë përçartë që kjo nuk është e mundur, është e palogjikshme. Ashtu sikundër ne nuk mund të bëjmë një gjë të pakuptimtë që disa ashtu, disave ashtu me arna se me demek ne… Jo mo jo, nuk mendohet. Për popullin gjëja e parë që duhet të bëni ju për popullin, është që kur të vini të flisni këtu, të respektoni nervat e popullit. Të respektoni faktin që populli përpiqet çdo ditë të rrisë fëmijë dhe të edukojë fëmijë. Të respektoni faktin që populli nuk duhet të mbyllë televizorin ose nuk duhet t’i gjuajë televizorit me shishe ose me gotën që ka përpara kur dilni ju në ekran ose pastaj kur për efekt të përgjigjes dalim dhe ne dhe kush fle me qentë, gdhihet me pleshta. Kjo është gjëja që mund të bëni për popullin dhe të jeni të siguritë që kjo do ta risë ekonominë e Shqipërisë edhe 1% më shumë.
Atmosfera dhe ashtu sikundër, s’jam unë që duhet tua them, të jeni të sigurtë që kjo do tua rrisë në një përqindje më shumë edhe kur shkoni në zgjedhje, se ua kam thënë përpara, janë të regjistruara. Unë nuk kisha parashikuar vetëm momentin, e bëtë më përpara se ç’e prisja, unë e prisja nga e marta në darkë. Ju e bëtë që të dielën në darkë kur patë se si Kamza jua ktheu kurrizin në mënyrën më spektakolare, por nëse do të doni të dini pse ua ktheu Kamza kurrizin, mos shkoni të shikoni fantazma, shkoni në Kamzë. Shkoni në Kamzë dhe merrini me radhë shkollat, kopshtet, çerdhet, shkoni në Kamzë dhe shikoni gjithë politikat e bashkisë; shkoni në Kamëz dhe merrini me radhë të gjithë familjet që iu prishën shtëpitë nga tërmeti; shkoni në Kamzë dhe shikoni ku jetojnë sot; shkoni në Kamëz dhe pyesni ata të Unazës pse 130 e ca familje në Kamëz nuk bënë asnjë protestë, nuk dolën asgjëkund, u ulën me kryetarin e bashkisë, firmosën marrëveshjen menjëherë dhe liruan trasenë? Për një arsye shumë të thjeshtë sepse ata e dinë shumë mirë, që ai njeriu që kanë atje, fle i fundit, zgjohet i pari dhe çfarë thotë e bën dhe ata e dinë shumë mirë që ajo që kanë firmosur atje, është fiks ajo që do marrin, shtëpinë e re. Po kur t’i shihni këto, ta kuptoni pse Kamza iu bëri atë që e keni merituar prej kohësh, por ja u bëri tamam në momentin e duhur për hir të vërtetës. Hajdeni me mua në Tropojë e të shihni pse Tropoja ua ktheu kurrizin, se do shkoj në Tropojë. Hajdeni shihni t’ju them se ku të shkoni e ça të shikoni dhe kështu me të gjitha me radhë. Unë e përsëris, ne, rezultati jonë, është sa vepër e jona, aq edhe vepra juaj, unë jam i vetëdijshëm, jeni bashkëpunëtorët më të mëdhenj në këtë rezultat sepse jeni bërë aq të pashikueshëm, aq të padëgjueshëm, aq të pangrënshëm, aq të patretshëm, sa detyrimisht një pjesë erdhën na votuan ne, një pjesë tjetër ndenjën në shtëpi dhe bënë gjënë e duhur dhe këta që erdhën që nuk e di si i numëroni , 500 mijë a 600 mijë, janë nja 250 mijë dhe plus ca të tjerë që janë akoma duke kërkuar autobusin e unazës. Herën tjetër do jenë më pak! Mbani mend fjalën time këtu, herën tjetër do jenë më pak dhe nuk iu shpëton dot asnjë fjalim këtu dhe asnjë baltë që hidhni këtu dhe asnjë përvuajtje këtu që “shtesën e pagës unë do t’ia çoj jetimores”. Vdeksha unë! Vdeksha ynë për ty që do ia çosh shtesën e pagës jetimores ti! Vdeksha unë për ty, jetimi im i dashur! Kështu që ky është qëndrimi im! Unë për rritjen e pagave jam shumë krenar dhe dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë deputetët sepse është puna e deputetëve në radhë të parë e gjithë këtyre viteve, sepse është rezultat reformash, është rezultat ligjesh, është rezultat përpjekjesh, dua të falënderoj të gjithë anëtarët e kabinetit qe kanë punuar qysh nga dita e parë e vitit 2013 deri më sot, se ky është rezultat i përpjekjeve shumë të madhe dhe dua t’ju them që tek pika e pagës për deputetët dhe për ministrat , mua më keni kundra që ajo të hyjë menjëherë. Ajo duhet të hyjë në fuqi në momentin që hyn ne fuqi e gjithë paketa e rritjes së pagave, por unë një jam, bashkë me Erion Braçen, pastaj kush bëhet tjetër, të shohim.
Top Channel