Kreu i grupit privat ushtarak rus Wagner, Yevgeny Prigozhin tha të enjten se forcat e tij kanë filluar të tërhiqen nga Bakhmuti në Ukrainën lindore dhe t’ia dorëzojnë kontrollin e qytetit ushtrisë ruse, disa ditë pasi ai tha se trupat e tij e kishin pushtuar atë.
Pronari milioner i grupit i cili ka lidhje të forta me presidentin rus Vladimir Putin, tha në një video të publikuar në Telegram se dorëzimi i kontrollit do të përfundonte deri më 1 qershor.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk ka komentuar.
Nuk ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur nëse ka filluar tërheqja e grupit Wagner nga qyteti i bombarduar, pas një beteje nëntë-mujore që shkaktoi vdekjen e mijëra personave.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës tha të enjten se njësitë e grupit Wagner janë zëvendësuar me trupa të ushtrisë në periferi, por luftëtarët e grupit vazhdojnë të jenë brenda qytetit.
Forcat ukrainase kanë ende një bazë në periferinë jugperëndimore, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar.
Triumfi i grupit privat Wagner i dha një fitore shumë të nevojshme presidentit Putin, ndërsa agresioni rus është përballur me rezistencë të fortë dhe tani përballet me mundësinë e një kundërofensive ukrainase me armë të avancuara dërguar nga aleatët perëndimorë të Kievit.
Këshilltari i lartë presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha të enjten se kundërofensiva e Ukrainës ka filluar, por paralajmëroi se ajo nuk do të jetë “një aksion i vetëm” që fillon “në një orë të caktuar të një dite të caktuar”.
Ai tha në Twitter se ushtria ukrainase po kryen dhe do të vazhdojë të kryejë “dhjetëra aksione të ndryshme për të shkatërruar forcat pushtuese ruse”.
Yevgeny Prigozhin ka një histori përplasjesh me udhëheqjen ushtarake ruse, që daton që nga krijimi i grupit Wagner. Ai gjithashtu ka krijuar një reputacion për deklarata provokuese dhe shpesh të paverifikueshme, të cilat i tërheq më vonë.
Gjatë luftës 15-mujore në Ukrainë, ai ka kritikuar vazhdimisht dhe publikisht udhëheqësit ushtarakë të Rusisë, duke i akuzuar për paaftësi dhe dështim në mbështetjen e trupave të tij, ndërsa ata drejtonin betejën për Bakhmutin.
Ai ka thënë se qëllimi i Kremlinit për çmilitarizimin e Ukrainës ka dështuar, ka pranuar se trupat ruse kanë vrarë civilë dhe ka konfirmuar vlerësimet perëndimore se grupi i tij ka humbur më shumë se 20,000 luftëtarë në betejën për Bakhmutin.
Ndërkohë, Rusia lëshoi një breshëri dronësh Shahed 36 të prodhuar nga Irani kundër Kievit në sulmin e 12-të ajror kryer gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas këtë muaj, por mbrojtja ajrore e qytetit i rrëzoi të gjithë ata, thanë autoritetet ukrainase të enjten.
Forcat e Kremlinit ndërmorën gjithashtu 30 sulme ajrore dhe 39 sulme me raketa të shumta, si dhe sulme artilerie dhe mortajash në të gjithë Ukrainën, tha ushtria ukrainase.
Të paktën një civil u vra dhe 13 të tjerë u plagosën në Ukrainë të mërkurën dhe gjatë natës, tha të enjten zyra e presidentit të Ukrainës.
Top Channel