GJKKO, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 8 persona.

Nga hetimet e zhvilluara rezulton se personat nën hetim, pjesë e dy grupeve kriminale, janë përfshirë në aktivitetin e kultivimit të lëndëve narkotike që nga viti 2020, me qëllim hedhjen më pas në treg të saj. Kultivimi kanabisit është kryer në Njësinë Administrative Cudhi të Bashkisë Krujë, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall, në sipërfaqe tokash pyll kryesisht me pronar “shtet” zona kufitare me njëra-tjetrën.

Për kujdesin dhe ruajtjen e bimëve narkotike personat e dyshuar kanë punësuar punëtorë dhe kanë ngritur sisteme vaditje, më pas lënda narkotike është grumbulluar dhe përpunuar në vende të posaçme me qëllim hedhjen në treg të saj. Grupet kriminale janë ndihmuar dhe favorizuar nga disa punonjës të strukturave të policisë, si dhe ato të administratës vendore Krujë.

Gjatë hetimit janë identifikuar dhe asgjësuar mijëra bimë narkotike të llojit kanabis të mbjella në parcela të ndryshme dhe sasi të ndryshme. Po kështu, gjatë kontrollit të ushtruar vetëm në njërin në vendet e grumbullimit të lëndës narkotike, është sekuestruar ndër të tjera dhe sasia prej 145.5 kg canabis sattiva, e paketuar në mënyrë të posaçme dhe e gatshme për tregtim.

Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ekzekutuar deri më tani 8 masa arresti: V.T., L.A., S.V., Xh.Z., S. SH., A. P., Sh. I., dhe A. P, nga 13 persona nën hetim si organizatorë dhe kultivues të bimëve narkotike. Punonjës policie dhe kryepleq fshatrash akuzohen për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 i Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit dhe formën e pjesëmarrjes parashikuar nga nenet 333/a/1/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për bashkëpunëtorët e personave të arrestuar, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA