Kryeministri britanik Rishi Sunak vendosi ta mbyllë njërin sy përpara shkeljes së shumë diskutuar të sekretares së brendshme Suella Braverman, duke thënë se ajo nuk do të hetohet e do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.
Braverman u kap vitin që shkoi duke ecur me makinë mbi normën e lejuar të shpejtësisë, dhe u kërkoi më pas zyrtarëve këshilla për një kurs privat. Por partitë opozitare ngritën menjëherë zërin duke insistuar për një hetim të plotë, për të parë nëse veprimi i saj përbënte shkelje të kodit ministror. Shefi i ekzekutivit deklaroi se pas diskutimeve me këshilltarin e tij për etikën, Sir Laurie Magnus, dolën në përfundimin se një verifikim i tillë nuk ishte i nevojshëm.
“Unë u sigurova”, tha Sunak, se “zonja Braverman e mori këtë çështje seriozisht dhe shprehu keqardhjen e saj të thellë”. Kryeministri britanik u përball me një presion në rritje për të marrë masa ndaj sekretares së brendshme pas raporteve të “Sunday Times” se ajo u kërkoi nëpunësve civilë organizimin e një kursi privat.
Sipas gazetës së njohur, në vend që të regjistrohej personalisht për një kurs ndërgjegjësimi për shpejtësinë me shoferë të tjerë, ose të kryente një të tillë në internet ku do të kërkohej identifikimi i saj me emër e fytyrë përpara pjesëmarrësve të tjerë, Braverman tentoi ta kryente këtë gjë privatisht.
Vetë ministrja, në një letër drejtuar Sunakut, theksonte se i vinte shumë keq për episodin, por insistoi se në asnjë moment nuk kishte tentuar të shmangte masat ndaj saj, ndërsa i mëshoi idesë se në pozicion që ka, duhet të kujdeset për sigurinë dhe privatësinë e saj.
Top Channel