Kreu i ushtrisë private ruse ‘Wagner’ njoftoi se ky grup ka humbur më shumë se 20,000 luftëtarë në betejën e përgjakshme 15 mujore, për të marrë kontrollin e qytetit të Bakhmutit.

Njëzet për qind e tyre janë nga kontigjenti prej 50,000 të burgosurish, që Wagner i rekrutoi për të luftuar në qytetin lindor të Ukrainës.

Kjo shifër është tërësisht në kontrast me pretendimet e Moskës, që thotë se ka humbur pak më shumë se 6,000 trupa në luftë. Shifra është po ashtu më e lartë, se humbjet e Rusisë gjatë luftës10 vjeçare, 1979-89 në Afganistan, që sipas Moskës ishte 15,000.

Nga ana tjetër Ukraina nuk e ka bërë publike numrin e ushtarëve që ka humbur që nga fillimi i agresionit rus, në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë sot Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace mbërriti në Kiev në një vizitë të papalajmëruar. Ai u takua me homologun e ukrainës Oleksii Reznikov.

Gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp zoti Wallace njoftoi se Britania ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi “Storm Shadow”. Ai tha se një vendim i tillë u nxit për shkak të përdorimit të vazhdueshëm nga ana e Rusisë, të armative të saj me rreze të gjatë veprimi, që kanë vënë në shënjestër popullatën dhe infrastrukturën jetike civile. Sekretari Walles i cilësoi veprimet e Moskës në kundërshtim me të gjitha ligjet ndërkombëtare dhe konventat e Gjenevës.

Ai shtoi se aleatët do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Ukrainës e do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme me armatime, përfshirë avionët e avancuar amerikanë F-16. Ministri Wallace njoftoi se këtë verë Britania do të nisë stërvitjen e pilotëve ukrainas me këta avionë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA