Është data 22 qershor e vitit 2022. Këta që shihni janë burrat e fshatit Kozarë në Kuçovë. Ata, pritën radhën për të dëshmuar njëri pas tjetrit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Burri i çdo familjeje atë ditë ishte në dyert e SPAK. Në fshatin që mori të gjithë vëmendjen publike, nuk kishte ndodhur asgjë e jashtëzakonshme për të merituar atë lloj publiciteti. Kozara u zbraz nga burrat që futeshin njëri pas tjetrit në institucionin e ngritur për të goditur peshqit e mëdhenj…
Përmes kësaj shfaqjeje spektakolare, SPAK pyeti mbi 240 fshatarë për të hetuar një fermer që quhej Bektash Shtëpenja. Fermeri i njohur, njihej jo vetëm në Kozarë, Kuçovë e Berat por edhe më gjerë për shërbimin që ofronte me autokombajnën e tij në mbi 3 dekada.
Por, Bektashi i famshëm i autokombajnës kishte rënë në rrjetën e SPAK për hetim pasurie. Struktura e drejtësisë së re, kërkonte konfiskimin e pasurisë së tij, që fermeri pretendonte se ishin fitimet e gjithë jetës duke korrur grurë.
Në Muajin Maj 2021 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesë në Gjykatë me objekt konfiskimin e pasurive të Bektashit. Fjala ishte për 7 pasuri, konkretisht 2 apartamente në Sauk dhe Durrës, 1 garazh, 2 makina, 1700 metra katrorë tokë në Sauk, dhe një motor.
Problemet e Bektashit nisën pasi një prej 3 djemve të tij u dënua në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Hetuesit dyshonin se pronat e tij janë burim i parave të jashtëligjshme të të birit të quajtur Andrea Shtëpenja.
Ne udhëtuam drejt Kozarës ku historia e Bektashit ende ka mbetur e gjallë. Aty takuam disa fermerë të cilët e thonë hapur atë që dëshmuan në SPAK, pagesën për shërbimin e autokombajnës e kanë kryer dorazi, siç ndodh rëndom në ekonominë informale shqiptare. Për këtë arsye 30 vite lekët për korrjen e grurit Bektashi i ka marrë pa fatura. Prandaj ai nuk provon dot në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nëse pasuria është vënë apo jo nga puna me autokombajnat.
Bektash Shtëpenja në vitin ’90 përfitoi autokombanjën e parë kur u privatizua ish-SMT-ja. Aktualisht, ka tre të tilla, dhe zanatin ia ka trashëguar edhe të birit të madh me të cilin jeton, Sokolit. Ne komunikuam me Sokolin i cili nuk preferoi të komentojë për sa kohë çështja është ende në proces.
Pala e akuzuar ka pretenduar në process se pas viteve 1990 Bektashi ka punuar në tokat e fermerëve të zonës duke i ndihmuar ata kundrejt shpërblimit që të korrnin produktet bujqësore. Në mungesë të dokumentacionit dhe faturave, i gjithë fshati shkoi në SPAK për të treguar se Bektashin e kanë paguar me para cash.
Pavarësisht se si do të rezultojë e vërteta në fund të kësaj historie, pompoziteti me të cilën u ndoq çështja e një fermeri u kthye në një histori të denjë barcolete.
Në 2019 Prokuroria e Posaçme SPAK dhe Gjykata e Posaçme nisën punën me dy qëllime kryesore; luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta. Për këtë, u bë një reformë edhe në sistemin e pagave të prokurorëve si një prej mekanizmave për të shmangur korruptimin. Referuar data bazës me listën e pagave në Republikën e Shqipërisë i cili rrodhi si informacion në 2021, pagat e hetuesve dhe prokurorve të SPAK variojnë nga 170 deri në 600 mijë lekë. Pra, me shumë se 3-fishi i presidentit që është kreu i shtetit.
Top Channel