Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë vendosjen e parakushteve nga Republika Popullore e Kinës në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të hapur linja komunikimi me Pekinin, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Zoti Chollet tha se deri tani nuk ka shumë shumë sinjale që të tregojnë gatishmërinë e Kinës për të përdorur ndikimin e saj ndaj Rusisë, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Zyrtari i lartë amerikan bisedoi të martën me korrespondenten e Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Nike Ching, rreth Kinës dhe Ukrainës, para Konferencës së Përfaqësuesve Diplomatikë të Shteteve të Bashkuara nëpër Botë, që pritet të mbahet në mesin e muajit qershor, ku ambasadorët amerikanë të rikthehen për takime në Uashington.
Intervista e mëposhtme është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.
Zëri i Amerikës: Çfarë mund të na thoni rreth kundërofensivës së pranverës të forcave ukrainase?
Derek Chollet: Së bashku me 50 aleatë të tjerë të koalicionit e kemi furnizuar Ukrainën me mjetet që i nevojiten për t’u mbrojtur dhe për të rimarrë kontrollin e territorit. U takon ukrainasve që të flasin mbi afatet e kundëofensivës dhe qëllimet e tyre.
Zëri i Amerikës: Cilat vende kanë treguar gatishmëri, ose kanë premtuar se do të furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë F16? Dhe sa synohet të jetë numri i tyre?
Derek Chollet: Këta elementë po i shqyrtojmë aktualisht. Kolegët tanë të Pentagonit po bashkëpunojnë ngushtë me ministritë e mbrojtjes të shteteve europiane dhe gjetkë për të biseduar rreth planit për furnizimin me F16. Fillimisht, puna duhet të nisë me trajnimin, sepse përdorimi i këtyre avionëve nuk është shumë i lehtë. Kërkohen javë të tëra trajnimi. Ende po përpiqemi të identifikojmë se cilat vende janë të gatshëm për të furnizuar me avionë të tillë. Vetë ne, ende nuk kemi marrë një vendim.
Nuk mendoj se ky sistem do të ketë rëndësi të veçantë, për shkak të afateve kohore, kundërofensivës së pritshme. Megjithatë, kur mendojmë mbi nevojat e Ukrainës në të ardhmen, në nevojat e saj për parandalimin e sulmeve dhe mbrojtjen e saj, këto avionë do të kenë një peshë kritike për ushtrinë moderne ukrainase.
Zëri i Amerikës: A mund të na flisni mbi përpjekjet diplomatike të Ukrainës për të sfiduar ndikimin e Rusisë në jug të globit? Sepse, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba pritet të nisë një seri vizitash në Afrikë.
Derek Chollet: Ministri i Jashtëm Kuleba dhe Presidenti Zelenskyy dhe e gjithë udhëheqja e Ukrainës janë treguar të vendosur për ta sjellë në vëmendjen e botës, në çdo cep të globit, atë që po ndodh në vendin e tyre. Askush më mirë se sa udhëheqësit e Ukrainës nuk mund ta bëjnë të njohur për botën me fakte dhe dëshmi bindëse atë që po ndodh në Ukrainë, dhe ne i mbështesim fuqishëm përpjekjet e tyre. E di që Presidenti Zelenskyy shënoi një vizitë të suksesshme në Jedah dhe në takimin e nivelit të lartë të Lidhjes Arabe. Di po ashtu se po angazhohet edhe me partnerë në Lindjen e Mesme.
Zëri i Amerikës: Sipas njoftimeve në media, i dërguari i posaçëm kinez Li Hui do të vizitojë Bashkimin Evropian në Bruksel, përpara se të udhëtojë drejt Rusisë. Si i vlerësoni përpjekjet e Kinës për paqe? A është Kina e besueshme?
Derek Chollet: Eshtë diçka e mire që autoritetet kineze po bisedojnë me ato ukrainase dhe që Ukrainën e vizitoi i dërguari i posaçëm. Për të qenë i sinqertë, pritshmëritë e mia për këto përpjekje janë të pakta. Ajo që dua të them është se, më e dobishme do të ishte që Kina t’ia bënte të njohura faktet Putinit dhe ta bindte atë të ndalonte luftën. Eshtë e rëndësishme të vëmë në dukje se lufta do të mbaronte që nesër nëse Vladimir Putini do të vendoste të tërhiqte trupat e tij ng Ukraina. Nuk shoh asnjë sinjal që të tregojë se Putini po mendon ta bëjë një gjë të tillë së afërmi.
Zëri i Amerikës: Për të sqaruar, a e shohin Shtetet e Bashkuara Republikën Popullore të Kinës si një ndërmjetësuese me Putinin apo jo?
Derek Chollet: Natyrisht, ata kanë një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë. Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti Putin janë takuar disa herë, dhe para kësaj lufte, ata lëshuan një komunikatë shumë të gjatë të përbashkët duke folur për një marrëdhënie dhe një partneritet pa kufi. Ajo që ne do t’u kërkojmë miqve tanë të Republikës Popullore të Kinës është të përdorin çfarëdo ndikimi që kanë mbi Rusinë për ta bërë Putinin të ndalojë këtë luftë.
Unë nuk kam parë shumë përpjekje që do të sugjeronin se ata janë të gatshëm ta përdorin atë ndikim. Dhe nuk kam parë shumë për të sugjeruar se edhe nëse do të ishin të gatshëm të përdornin ndikimin, do të funksiononte për të ndryshuar mendjen e Putinit. Por kjo është gjëja e thjeshtë që po kërkojmë.
Zëri i Amerikës: Kalojmë në marrëdhëniet SHBA-Kinë: A ishte një lajm i keq për Rusinë takimi i fundit i këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan me diplomatin e lartë kinez Wang Yi?
Derek Chollet: Nuk dua të them nëse është lajm i keq apo lajm i mirë për Rusinë. Ishte një takim biznesi mes këshilltarit tonë për sigurinë kombëtare dhe zotit Wang Yi për të folur për marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe për të folur hapur nga ana jonë për disa nga sfidat që ne shohim se burojnë nga RPK, disa nga mosmarrëveshjet thelbësore që kemi me ta. Por gjithashtu, më e rëndësishmja, të flasim për fushat e dialogut dhe bashkëpunim që ne vazhdojmë të shpresojmë të arrijmë me Kinën.
Ne, përsëri, kemi disa mosmarrëveshje thelbësore me RPK, dhe ne do t’u qëndrojmë besnikë parimeve, vlerave dhe interesave tona. Por në të njëjtën kohë, ne mendojmë se është e rëndësishme të kemi dialog me Kinën për të folur rreth mënyrës se si t’i menaxhojmë këto dallime, si ta vendosim këtë marrëdhënie në rrugë të drejtë.
Zëri i Amerikës: A do të takohen zyrtarët Sullivan dhe Wang rregullisht, për shembull çdo tre muaj?
Derek Chollet: Jo, nuk ka vendim për një takim të rregullt. Sekretari Blinken ishte vetëm disa orë para nisjes për në Pekin disa muaj më parë, kur kinezët fluturuan në mënyrë të papërgjegjshme dhe të papranueshme një balonë vëzhgimi mbi Shtetet e Bashkuara. Pra, ky është një dialog që ne shpresojmë shumë të jemi në gjendje ta rifillojmë në një moment të caktuar. Por nuk ka ende plane për këtë. Ajo që është e rëndësishme është që ne jemi të gatshëm të kemi dialog, dhe këtë fakt po argumentojmë me Kinën.
Zëri i Amerikës: A mund të na flisni për takimet e ambasadorit amerikan në Kinë, Nicholas Burns në Konferencën e Shefave të Misioneve në Uashington muajin e ardhshëm?
Derek Chollet: Nick Burns është një nga diplomatët tanë më të arrirë në historinë moderne të SHBA. Ne i besojmë shumë gjykimit të tij dhe jemi entuziastë që ai mori përsipër këtë detyrë të vështirë për t’u rikthyer në shërbim e për të qenë në Pekin. Ai ka pasur disa takime në Pekin vetëm javën e fundit për të ndihmuar në bisedimet rreth mënyrave se si do të përpiqemi të arrijmë që kjo marrëdhënie të jetë përsëri në rrugën e duhur. Pra, ne do të presim me padurim përshtypjet e tij të drejtpërdrejta se si po shkon kjo përpjekje.
Zëri i Amerikës: Zyrtarët kinezë kanë thënë se është e nevojshme të stabilizohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Por në të njëjtën kohë, ata gjithashtu kërkojnë që SHBA të ndalojë forcimin e lidhjeve me Tajvanin, të ndalojë vendosjen e kufizimeve në tregti, në teknologji. A janë këto parakushte?
Derek Chollet: Sigurisht që nuk do të pranonim asgjë nga këto. Le të flasë vetë Kina se çfarë kushtesh vendos për çfarëdo lloj dialogu me ne. Ne jemi shumë të qartë se nuk do ta pakësojmë angazhimin tonë ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Indo-Paqësor apo askund. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat tona dhe të qëndrojmë besnikë ndaj vlerave tona. Duke bërë këtë, ka hapësirë për të pasur një dialog me Kinën apo këdo tjetër.
Top Channel