Ministria e Punëve të Brendshme angleze Home Office vijon çdo javë të dëbojë shqiptarë, të cilët kanë mbaruar dënimet apo kanë mbërritur më gomone.
Top Channel mëson se numri i të dëbuarve javën e shkuar ishte 39, mes tyre persona të dënuar për prodhim droge (shtëpi bari), mashtrim dhe për përdorim dokumentesh të falsifikuara.
Personat e dëbuar kishin vuajtur në total 45 vite burg.
Kryeministri Rishi Sunak disa ditë më parë deklaroi se pas marrëveshjes me Shqipërinë për pranimin e atyre që janë ilegalisht në Angli dhe atyre që përfundojnë dënimet në burgjet angleze numri shqiptarëve të kthyer është 8.000.
Shifrat zyrtare të publikuara nga Home Office tregojnë numrin e shqiptarëve të mbërritur me gomone në Angli tre vitet e fundit.
Gjatë 2020 mbërritën me gomone 50 shqiptarë, në 2021 numri shkoi në 800 persona ndërsa në 2022 numri shqiptarëve që zgjodhi këtë mënyrë mbërritje në brigjet angleze shkoi në 12,301.
Po sipas Home Office në katër muajt e parë të 2023 numri shqiptarëve mbërritur me gomone është i papërfillshëm krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022.
Top Channel