SHBA, ende nuk ka marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit

23/05/2023 08:27

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha se pati një diskutim produktiv për tavanin e borxhit me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, por ende nuk ka marrëveshje.

Uashingtoni po përpiqet të arrijë një kompromis buxhetor për rritjen e kufirit të huamarrjes në kohë për të shmangur një krizë të shkaktuar nga pamundësia e qeverisë amerikane për të shlyer detyrimet e saj financiare.

Ky është një moment vendimtar për presidentin demokrat dhe Kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm 10 ditë përpara skadimit të afatit për të rritur tavanin e borxhit.

Më 1 qershor, Shtetet e Bashkuara mund të mos kenë para të mjaftueshme për të shlyer borxhet dhe detyrimet e tjera financiare, një situatë e frikshme kjo.

Pas takimit Presidenti Biden tha se ishte “optimist se mund të arrijmë të bëjmë njëfarë përparimi.” Ndërsa Zoti McCarthy tha më pas se ata patën një “diskutim produktiv. Nuk kemi ende një marrëveshje.”

Por çfarë do të thotë për ekonominë globale nëse SHBA nuk paguan borxhin e saj? Nëse kriza e borxhit që po trondit Uashingtonin do t’i detyronte Shtetet e Bashkuara të hynin në recesion, ekonomia e Amerikës nuk do të ishte e vetmja që do të vuante pasojat.

Mospagimi i borxhit federal, gjë që do të ndodhte për herë të parë në histori, do të ndikonte në mbarë botën. Porositë për fabrikat kineze që shesin pajisje elektronike në Shtetet e Bashkuara mund të ndalen. Investitorët zviceranë që kanë blerë bono të Thesarit të SHBA-së do të pësonin humbje. Kompanitë nga Sri Lanka nuk do mund të përdorin më dollarin si alternativë ndaj monedhës së tyre.

Sipas kësaj analize, rritja ekonomike e SHBA-së do të fundosej, 7.8 milionë vende pune në SHBA do të zhdukeshin, normat e huamarrjes do të rriteshin, shkalla e papunësisë do të rritej nga 3.4% sa është tani në 8% dhe një rënie e tregut të aksioneve do të eliminonte 10 trilion dollarë nga pasuritë e familjeve amerikane.

Natyrisht, mund të mos arrihet deri në atë pikë. Shtëpia e Bardhë dhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë në kërkim të një marrëveshjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA