Presidenti turk Rexhep Tajp Erdogan ka siguruar mbështetjen e ultra-nacionalistit të renditur i treti në raundin e parë të presidencialeve në vend.
Sinan Ogan është takuar në fundjavë me liderin turk dhe më pas ka mbajtur negocjata konfidenciale me aleatët e liderit opozitar Kemal Kilicdaroglu.
“Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale më 28 maj 2023, është shumë i rëndësishëm,” i tha Ogan gazetarëve në komentet direkte, para se të inkurajonte mbështetësit e tij të mbështesnin Erdogan.
Sinan Ogan mori 5.2 përqind të votave në zgjedhjet e 14 majit duke i ndaluar fitoren automatike Erdogan për herë të parë në sundimin e tij 20-vjeçar.
“Ne do të mbështesim kandidatin e Aleancës Popullore, Rexhep Tajip Erdogan, në raundin e dytë të zgjedhjeve. Unë ftoj votuesit e mi të mbështesin Erdogan në raundin e dytë”, tha ai.
Ogan e përshkruan veten si mbështetës të nacionalizmit turk dhe ka bërë fushatë me premtime për largim të refugjatëve në vend dhe për ashpërsim të masave ndaj grupeve militante kurdë.
54-vjeçari është përpjekur gjithashtu të ndalojë ndryshimet kushtetuese të opozitës për zbutjen e neneve të nacionalizmit turk.
Top Channel