100 milionë euro ka ndarë qeveria italiane për zonat e prekura nga përmbytjet masive të këtyre ditëve.
Kjo është pjesa e parë e ndihmës që mund të shkojë dhe në 200 milionë euro për shpenzime të menjëhershme për banorët e Emilia Raomanjës të përballur prej ditësh me një mot ekstrem e përmbytje shkatërrimtare.
Kryeministrja Giorgia Meloni i braktisi punimet e samitit të G7-s në Japoni e ka udhëtuar drejt zonave më të prekura nga reshjet rekord dhe vërshimi i ujrave. Kreu i rajonit të Emilia Romanjës, Stefano Bonaçini, do të caktohet dhe i dërguar i posaçëm për emergjencën. “Do të kemi nevojë për rimbursime 100%, sepse ka njerëz që kanë humbur gjithçka”, u shpreh guvernatori.
Ndihma e qeverisë do të ndahet në dy faza: pjesa e parë do të jetë si masë emergjence duke përjashtuar kompanitë dhe qytetarët nga pagesa e taksave. Pas kësaj, do të punohet për kompensimin dhe rindërtimin, teksa vazhdon vlerësimi i dëmeve.
Fondi përfshin rikthimin në normalitet të rrugëve, shkollave dhe ndihma për bujqësinë. Ekspertë të ndryshëm megjithatë, mendojnë se për rimëkëmbjen e zonës, mund të duhen në të vërtetë mbi 1 miliardë euro. Gazeta Il Resto del Carlino flet për një plan Marshall rindërtimi, e thotë se ndërhyrja e parë mund të lidhet me shtëpitë pasi shumë të tilla janë dëmtuar deri në pikën që mund të duhet të shemben.
Në Emiglia Romagna llogaritet te jenë dëmtuar ose shkatërruar rreth 500 rrugë. Meteorologët kanë thënë se shirat e rrëmbyeshëm pasuan një periudhë thatësie të madhe, çka zvogëloi kapacitetin e tokës për të thithur shpejt ujin.
Top Channel