Shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Bashkimit Evropian kanë përsëritur thirrjen ndaj Qeverisë së Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në një deklaratë të QUINT-it thuhet se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, ai vendim për tokën nuk po zbatohet.

Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.

Më 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.

Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Prej disa vitesh, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA