Presidenti i Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj u takua me të Ngarkuarin e Posaçëm të Qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, në kuadër të pjesëmarrjes në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit të ri të Malit të Zi.
Në qendër të takimit ishin zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja e krijimit të një fryme të re bashkëpunimi, me synim minimizimin maksimal të propogandës dhe influencës së aktorëve të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike të vendeve të rajonit.
Presidenti Begaj vlerësoi rolin aktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin personal të Lord Peach në këtë drejtim, krahas kontributit të të dërguarve të posaçëm amerikanë dhe të BE-së.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek efektet negative që ka prodhuar lufta në Ukrainë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Top Channel