Përmbytjet vdekjeprurëse që kanë përfshirë rajonin verior italian të Emilia Romagna, duke vrarë të paktën 14 persona, sipas studiuesve janë një tjetër shenjë e përshpejtimit të krizës klimatike.
Përmbytjet vijnë pas disa viteve të thatësirës së madhe në rajon, e cila ka ngjeshur tokën, duke ulur aftësinë e saj për të thithur reshjet.
“Rritja e temperaturave intensifikon episodet e thatësirës, tharjen e tokës dhe ndryshimin e përshkueshmërisë së saj në mënyra të ndryshme”, tha Mauro Rossi, një studiues në Institutin Kërkimor për Mbrojtjen Gjeo-Hidrologjike, pjesë e Këshillit Kombëtar të Kërkimeve Italiane.
Sasitë ekstreme të ujit që bien gjatë një periudhe të shkurtër kohore përkeqësojnë rrjedhjen, shtoi Rossi, duke bërë që uji i tepërt të derdhet drejt lumenjve, të cilët përgjigjen duke mbushur, gërmuar dhe ndryshuar shtretërit.
Më shumë se 20 lumenj në rajon kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar një valë prej 280 rrëshqitjesh dheu. Deri më tani 25 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe rreth 27 mijë kanë mbetur pa energji elektrike.
Përmbytjet kanë shkatërruar edhe tokat bujqësore. Sipas një shoqatë fermerësh, më shumë se 5 mijë të tilla ishin nën ujë në Emilia Romagna, e cila mbetet një zonë e njohur si “Lugina e frutave” si dhe fusha me misër dhe drithëra. Serat dhe stallat gjithashtu janë përmbytur, ku në raportime thuhet se ka kafshë të mbytura.
Një “tërmet” i ri:
Presidenti i Emilia Romagna, Stefano Bonaccini, e përshkroi shkallën e shkatërrimit si një “tërmet i ri”, vetëm disa ditë para përvjetorit të tërmetit që goditi rajonin në vitin 2012, duke vrarë 28 njerëz.
“Ne kemi rindërtuar pothuajse gjithçka, por sot po përballemi me një tjetër tërmet. Ne duhet të kemi forcë, ndërsa qeveria duhet të zbatojë masa urgjente dhe të jashtëzakonshme”, tha ai.
Operacionet e ndihmës janë duke vazhduar intensivisht, me 1097 zjarrfikës të shpërndarë në rajon.
“Kriza klimatike po prek territoret me ngjarje ekstreme gjithnjë e më intensive, me rreziqe për jetën e njerëzve dhe ndikime në mjedis dhe ekonomi. Dhe Italia dëshmohet edhe një herë e papërgatitur”, tha shoqata italiane e ambientalistëve Legambiente.
Italia është veçanërisht e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike për shkak të gjeografisë së saj, e cila e vë atë në rrezik të lartë të rrëshqitjeve të dheut, dhe për shkak se ajo është e rrethuar nga ngrohja e Detit Mesdhe duke rritur mundësinë e stuhive të forta.
Federico Spadini, një zëdhënës i fushatës klimatike të Greenpeace në Itali, tha se ngjarjet ekstreme të motit rrezikojnë të bëhen normë nëse nuk trajtojmë urgjentisht shkaqet e krizës klimatike.
“Nuk po përballemi me episode të thjeshta të motit të keq, por me tragjedi të vërteta të nxitura nga ngrohja globale që kanë autorë të qartë. Vazhdimi i nxjerrjes dhe djegies së gazit dhe naftës është një krim që do të përkeqësojë gjithnjë e më shumë emergjencën klimatike, me humbje jetësh, shkatërrim mjedisor dhe ndikime serioze ekonomike dhe sociale”, shtoi Spadini.
Top Channel