Pas fitores në zgjedhjet e 14 Majit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u takua me anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak për 4 vitet e ardhshme.

“Kjo është vërtet një skuadër fitimtarësh sepse rezultati na dha të drejtë. Ne zbatuam këshillën e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Socialiste, që të sigurohemi që vota nuk trajtohet si qokë, vota nuk trajtohet si lëmoshë apo si bakshish. Çdo votë është e shenjtë, si vota për kryetarin, ashtu edhe vota për Këshillin Bashkiak”– tha Veliaj.

Kjo vote tha Veliaj  duhet trajtuar si një përgjegjësi e madhe, pas besimit që qytetarët iu dhanë për t’i përfaqësuar për çdo problematikë dhe shqetësim.

“Me këtë fitore të madhe vjen edhe një përgjegjësi e madhe. Detyra për secilin prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak është të sillet si një deputet i qytetit, jo vetëm kur garon, por çdo ditë, duke filluar që sot, si një kujtesë që kjo nuk është fitore për të na ngritur në qiell, por kjo është një fitore për të na ulur me këmbë në tokë,”– tha Veliaj.

Edhe pse Partia Socialiste ka shumicë në këshillin bashkiak, për Erion Veliajn është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi me të gjithë anëtarët e forcave të tjera politike, që do t’u bashkohen  në 4-vjeçarin e ardhshëm.

“Ftesa ime sot është që edhe anëtarët e tjerë, edhe ata që morën më pak vota dhe përfaqësojnë bindje të tjera, të ndryshme nga tonat, të kenë mundësi që ta pasurojnë Këshillin tonë Bashkiak. Ta pasurojnë me ide, ta pasurojnë me propozime. Nëse do të kthehemi në imitim të konferencave ditore për shtyp, kush është mafioz dhe kush është kriminel, atëherë sigurisht ne do përkthejmë në nivel lokal diçka bajate që e shohim përditë në nivelin qendror. Ashtu si Kryeministri përpiqet përditë të shkojë përtej numrave tanë për të krijuar një konsensus kombëtar, për të trajtuar këtë përvojë si një vëllazëri kombëtare, ku ne të gjithë bashkë ecim përpara, do të doja që diçka e tillë të përkthehej edhe në qytetin tonë dhe në Këshillin tonë Bashkiak,”- tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA