“Shkodranët këtë herë votuan me mendje”/ Rama: Rezultati në Shkodër, sfida jonë më e madhe

19/05/2023 16:33

Udhëtimin e parë në vend pas zgjedhjeve lokale të 14 majit, kryeministri Edi Rama e bëri në Shkodër, kur Partia Socialiste arriti fitoren historike me kandidatin Benet Beci.

Kryesocialisti falënderoi votuesit që kanë votuar Becin, ndërsa u shpreh se rezultatin në Shkodër e konsideron sfidën më të madhe që i është bërë atij dhe Partisë Socialiste.

Shkodranët këtë herë votuan me mendje dhe jo me zemër, sipas Ramës.

“Votën në Shkodër e shoh si votë me mendje. Ata që e kanë votuar PS, janë ata që nuk e kanë votuar tradicionalisht. Nuk kanë votuar me zemrën që e kanë djathtas, por me mendje. Kanë thënë po i japim një shans këtij dhe nuk kemi më se çfarë presim. Kjo është pjesa më problematike e kësaj vote. Sepse kush të voton me zemër, të jep një kredi afatgjatë sikurse ka ndodhur me palën tjetër. Ka qenë për shumë vite një kredi pa interesa që u kthye në dëm për ata që votuan, por ishte votë zemre. Në 8 fushatat e mëparshme, e kam ndjerë që mendja e shumicës ishte e mbyllur. Zemra u rrihte vetëm djathtas. Këtë herë, është një gjë e kombinuar. Pjesa që ka bërë diferencën e ka bërë me mendje”.

Duke e konsideruar një sfidë qeverisjen e Shkodrës, kryesocialisti tha se bashkia do të përfaqësojë çdo shkodran.

“Bashkia e Shkodrës do të jetë bashkia e të gjithëve. Këtë duhet ta reflektojmë në faktin që duhet një vlerësim i të gjitha burimeve njerëzore që janë aty. Në bashki duhet të jenë të gjithë të përfaqësuar”.

Mirënjohës për votuesit, u shpreh kryebashkiaku i ri i qytetit, Benet Beci. Në takim janë edhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar, sepse, tha Rama “ne nuk mund ta refuzojmë këtë sfidë. Nuk mund ta konsiderojmë një fitore që u mor, është një fitore e veçantë dhe kërkon një vëmendje të veçantë”.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA