Një seancë e posaçme për Ballkanin Perëndimor u mbajt në senatin amerikan, ku këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet pohoi se e ardhmja e rajonit është prioritet për administratën e Presidentit Joe Biden.
Përpara komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatin, ku u diskutua mbi angazhimin amerikan në Ballkan.
“Politika jonë bazohet në një parim të thjeshtë: një Europë e tërë, e lirë, e begatë dhe në paqe është në interesin e sigurisë sonë kombëtare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një pjesë e munguar e enigmës”, u shpreh ai.
Anëtarët e Komisionit dhe zyrtarët e lartë, ishin të një mendjeje se një nga sfidat më të ngutshme janë çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e plotës të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha Chollet.
Por ai shtoi se aspiratat europiane të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përmbushen derisa të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre. Per Chollet marrëveshja e Ohrit përcakton një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një veprim që ne i kemi kërkuar që ta ndërmarrë me shpejtësi, të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të ofrojë mbrojtje të fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”, tha ai.
Po kështu ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të njohin gjithashtu dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe se Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Top Channel