Pas betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, përfaqësues të Listës Serbe e cilësuan si okupim të kësaj komune.
Sipas tyre, Albin Kurti duhet të ndalë përndjekjen e serbëve, ose pas 1 qershorit do të tregojnë format e tyre të rezistencës.
Ish-deputeti i kësaj liste, Igor Simiq doli në një konferencë për media, së bashku me katër ish-kryetarët e komunave në veri të vendit. Nga aty, Simiq foli për rezistencën e tyre pas 1 qershorit, pa dhënë detaje për çfarë rezistence bëhet fjalë.
“Sot ka filluar okupimi i veriut zyrtarisht, ne jemi për ta ruajtur paqën por durimit i ka ardhur fundi, andaj i japim afat Albin Kurtit që deri më 1 qershor të ndaloj represionin, përndjekjen, arrestimin e serbëve dhe të tjera. Nëse kjo nuk ndalet deri më 1 qershor, ne do të tregojmë format tona të rezistencës”, tha Simiq pa dhënë detaje për çfarë rezistence bëhet fjalë.
Ai përseriti se serbët nuk kanë asgjë kundër shqiptarëve, por kundër çasjes së kryeministrit Kurti ndaj serbëve.
Sot, në një seancë solemne, në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës dha betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. E veçanta ishte se flamuri i shtetit u vendos për herë të parë në këtë objekt./KosovaPress
Top Channel