Ligji për rritjen e pagave të administratës kaloi me sukses në komisionin për çështjet ligjore.
Ndërsa të gjithë deputetët e mazhorancës ishin rreshtuar nga njëri krah, binte në sy mungesa e shumicës së deputetëve të opozitës edhe pse ish kryeministri Berisha gjate fushatës sfidonte qeverinë duke kërkuar ligjin për ta votuar se bashku.
Ministrja e financave tha se ky ishte një ligj historik që do rrisë pagat me dy fasha për ta dërguar mesataren në 900 euro.
“Ndërsa kalojmë në një epokë të re të transformimit digjital dhe përparimeve të shpejta teknologjike është thelbësore të sigurohemi që sistemet tona të përcaktimit të pagave përputhen me kërkesat e zhvillimit të punës. Sot po bëjmë realitet një rritje pagash, duke çuar pagën mesatare në nivelin 900 euro në harkun e një viti. Nga kjo reformë përfitojën në total 130 330 punonjës,”-tha Ibrahimaj.
Por, kundërshtitë nuk munguan nga deputetët opozitarë dhe të mazhorancës. Ata theksuan se ligji e deformon hierarkinë e pagave me mosrritjen e tyre për deputetët, ndërsa kërkuan rritje dhe për pensionet
“Në ndryshimin rritjen e koeficientit e kalojnë pagën bazë të prokurorit dhe gjyqtarit. E kalojnë në mënyrë të ndjeshme. S’besoj se këto bëjnë një punë më të dobishme se gjyqtari e prokurori. Po ashtu në raport me deputetin, janë shumë më lart, nga hierarkia s’mund të jetë kështu, nuk është e pranueshme.-tha Fatmir Xhafaj.
“Mamaja ime 107 mij të vjetra, për drita e ujë. S’kanë lekë për të blerë mbathje, s’skanë lek të ngrënë bukë. Unë mendoj që këta njerëz njerëz janë duke pritur vdekjen se s’mund të jetosh me aq lekë. Do tja kthejnë ndonjëherë dinjitetin këtyre njerzve për të jetuar.”-tha Saimir Korreshi
Deputetët e Komisionit të ligjeve votuan pro rritjes së pagave. Tashmë ligji do të kalojë në komisionin e ekonomisë në të cilin pritet të propozohen ndryshime të reja, ku deputetët kërkojnë rritjen e koeficientit për rritjen e pagave të tyre.
Top Channel