Presidenti kinez Xi Jinping paraqiti të premten një plan ambicioz për zhvillimin e Azisë Qendrore.
Ky plan përfshin ndërtimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e tregtisë, duke shënuar daljen e Kinës si një lider i ri në një rajon që historikisht ka rënë brenda sferës së ndikimit të Rusisë. Duke iu drejtuar Samitit Kinë-Azi Qendrore i organizuar në Kinën veriperëndimore, presidenti Xi shprehu gatishmërinë e Kinës për të lidhur strategjitë e zhvillimit me Kazakistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin.
Ai theksoi promovimin e modernizimit për të gjitha këto vende.
“Ky samit i ka dhënë një shtysë të re zhvillimit dhe rivitalizimit të gjashtë qarqeve dhe ka instaluar energji të fortë pozitive në paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha Xi në një konferencë shtypi me homologët e tij të Azisë Qendrore.
“Ne do të punojmë së bashku për të kultivuar një model të ri bashkëpunimi që është reciprokisht i dobishëm”, tha ai.
Duke u përfshirë në mënyrë aktive, Kina e ka pozicionuar veten si një kryesuese në garën për ndikim politik dhe akses në burimet e energjisë në rajonin e Azisë Qendrore. Për Kinën, një gjë e tillë është bërë më e lehtë për shkak se Rusia është e preokupuar me luftën në Ukrainë, si dhe për shkak të pranisë së reduktuar të SHBA-së në rajon, si rezultat i tërheqjes së forcave nga Afganistani.
Pesë republikat ish-sovjetike në Azinë Qendrore i ofrojnë Kinës rrugë alternative transporti për karburant, ushqim dhe mallra të tjera në rast të ndërprerjeve në rajone të tjera. Angazhimet e mbështetjes dhe bashkëpunimit të bëra gjatë samitit dy-ditor shërbejnë si një kontrast i fortë me portretizimin “negativ” të Kinës gjatë samitit të fundit të liderëve të Grupit të Shtatë (G7) në Japoni.
Mbështetja e Kinës për Azinë Qendrore duket se është gjithashtu një kundërpeshë ndaj akuzave të SHBA-së për diplomacinë e saj shtrënguese.
Xi tha se Kina dhe vendet e Azisë Qendrore duhet të thellojnë besimin dhe të ofrojnë “mbështetje të qartë dhe të fortë” për interesat thelbësore si sovraniteti, pavarësia, dinjiteti kombëtar dhe zhvillimit afatgjatë. Ai nuk përmendi Ukrainën, e cila ashtu si vendet e Azisë Qendrore, ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.
“Kina është e gatshme të ndihmojë vendet e Azisë Qendrore të përmirësojnë zbatimin e ligjit, sigurinë dhe ndërtimin e aftësive të tyre mbrojtëse”, tha ai.
Tregti dhe investime
Xi deklaroi se Kina planifikon të përmirësojë marrëveshjet dypalëshe të investimeve dhe të rrisë vëllimin e eksporteve të mallrave me rajonin.
Ai tha se do të inkurajojë bizneset e financuara nga Kina në Azinë Qendrore për të krijuar më shumë vende pune, për të ndërtuar fabirka dhe për të nisur një linjë të veçantë të trenave që synon promovimin e turizmit.
“Për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe zhvillimin e Azisë Qendrore, Kina do t’u sigurojë vendeve të Azisë Qendrore një total prej 26 miliardë juanë (3.5 miliardë euro) mbështetje financiare dhe grante”, tha Xi.
Xi theksoi nevojën për të përshpejtuar ndërtimin e Linjës D të tubacionit të gazit natyror Kinë-Azi Qendrore. Ai bëri thirrje gjithashtu për rritjen e tregtisë së naftës dhe gazit midis Kinës dhe Azisë Qendrore, zhvillimin e bashkëpunimit energjetik në industri të ndryshme dhe nxitjen e bashkëpunimit në burimet e reja të energjisë dhe përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.
Kina mbështet gjithashtu ndërtimin e një korridori transporti ndërkombëtar ndër Detin Kaspik dhe synon të forcojë zhvillimin e qendrave të transportit për shërbimet e trenave të mallrave Kinë-Evropë, tha Xi./REL
Top Channel