Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më 18 maj se është duke u kërkuar serbëve ta ruajnë paqen, para betimit që do të bëjnë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

“Nesër do të mbahet. Ata do të tentojnë të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në veri të Mitrovicës, për tri komuna, dhe të zgjedhin kryetarë të rremë, me mbështetje të QUINT-it, të zgjedhur në zgjedhje të rreme”, u ka thënë Vuçiç gazetarëve në Novi Sad.

Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara, Franca, Italia dhe Gjermania.

Më 23 prill, në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Beogradi zyrtar nuk i njeh rezultatet e këtyre zgjedhjeve, dhe ato i ka konsideruar “jodemokratike dhe joligjore”.

Partia e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.

Edhe Beogradi zyrtar e ka mbështetur bojkotin.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryetarët e sapozgjedhur për komunat veriore të Kosovës – të gjithë të partive shqiptare – duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

Vuçiç ka thënë më 18 maj se një ditë më parë, ai e ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtitt, Derek Chollet dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Sipas tij, në takim është diskutuar për situatën “e tensionuar në veri të Kosovës”, e cila, sipas tij, është konstante.

“Po u kërkoj serbëve që ta ruajnë paqen, pasi ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”.

Sipas tij, kjo është përpjekje për presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA