Një grua që mbyti përdhunuesin e saj për vdekje me një bluzë, është dënuar me burg dhe kjo gjë ka shkaktuar protesta në Meksikë.
Roxana Ruiz u dënua me gjashtë vjet e dy muaj burg për “përdorim të tepruar të vetëmbrojtjes” pasi mbyti burrin që hyri në shtëpinë e saj, e kërcënoi dhe e përdhunoi.
Gjykata e Shtetit të Meksikës tha se ndërsa e pranon se ajo ishte viktimë e përdhunimit, një goditje në kokë do të kishte mjaftuar për të mbrojtur veten dhe jo ta mbyste atë.
“Ndihem e trishtuar dhe e zhgënjyer nga drejtësia. Nëse nuk do të kisha mbrojtur veten, do të isha e vdekur,” tha Ruiz për mediat jashtë gjykatës në komunën e Nezahualcóyotl, një nga më të rrezikshmet për një grua në Meksikë.
Nezahualcoyotl është komuna e dytë në shtetin e Meksikës me numrin më të madh të vrasjeve me dashje të grave. Roxana i tha Gazetës El País se jeton me frikë për veten dhe të ardhmen e djalit të saj pesëvjeçar.
“Ndihem keq dhe ndjej një shtrëngim në gjoks sepse nuk dua të kthehem në burg”, tha ajo vitin e kaluar.
Sipas statistikave të qeverisë, 3,755 gra u vranë në Meksikë vitin e kaluar.
Top Channel