Shqetësuese po konsiderohet rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Në publikimin e udhëzuesit nga misioni i OSBE-së për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje, është thënë se autorët e këtyre veprave duhet të ballafaqohen me drejtësinë dhe viktimat kanë nevojë për mbrojtje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se janë duke punuar për hartimin e kurrikulave, që për bazë ka trajtimin e dhunuesve. Ajo theksoi se është me rëndësi përgjegjësia e të gjitha institucioneve që merren me trajtimin e rasteve të tilla.

“Ne jemi duke punuar për hartimin e kurrikulave për trajtimin e dhunuesve. Sa merremi me viktimat, duhet ta trajtojmë edhe këtë aspekt. Prandaj në kuadër të fushatës të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në familje, ne kemi lansuar kurrikulën për trajtimin e dhunuesve. Gjithashtu kemi lansuar edhe protokollin për trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale, që është një dokument po ashtu i rëndësishëm që saktëson qartë dhe strikt detyrat e secilit institucion në raport me ngacmimet seksuale apo dhunën seksuale”, tha ministrja Haxhiu.

Më tej, e para e Drejtësisë shtoi se udhëzuesi për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje është i treti për nga rëndësia e dokumenteve strategjike.

“Udhëzuesi të cilën po e lansojmë sot, buron edhe nga strategjia dhe plani i veprimit kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe është instrumenti i tretë për nga rëndësia e dokumenteve strategjike. Qëllimi i këtij udhëzuesi edhe themelimi dhe koordinimi i mekanizmit lokal koordinues, hartimi i procedurave dhe protokolleve, duke përfshirë bazën e të dhënave në nivel lokal, avokimi për ndarjen e buxhetit nga vendimmarrja komunale, definimi për shërbime specifike, por edhe ngritja e kapaciteteve”, shtoi ajo.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport tha se presin qe gjatë vitit të ketë një Ligj të ri për dhunën në familje. Ai tha se çdo lloj forme e dhunës në familje reflekton në pushtetin mes burrave dhe grave.

“Nuk mendoj se ka nevojë t’ju rikujtoj një audience si kjo se rrezikun që dhuna në familje paraqet dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut. Dhe gjithashtu të theksojmë se kjo është një fenomen që është karakteristikë e të gjitha vendeve tona dhe kryesisht ndikon te gratë dhe vajzat dhe kanë ndikim shkatërrimtar në komunitete. Nuk mund të tolerojmë krime të tilla më. Kryerësit e dhunës në familje duhet të ballafaqohen me drejtësi, njësoj e rëndësishme është që viktimat e dhunës në familje që kanë nevojë për mbrojtje dhe qasje për një mbështetje që duhet të jetë e përshtatshme dhe me kujdes që përfshijnë strehimin, shërbimet sociale… Është shqetësuese se në Kosovë rastet e raportuara të dhunës në familje janë në rritje”, tha ai.

Davenport shtoi se këta udhëzues do të ndihmojnë institucionettë cilat janë zhvilluar përmes një vlerësimi që është bërë paraprakisht.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se ka hapa pas të gjendjes së grave në botë, duke iu mohuar atyre disa të drejta që u takojnë.

“Derisa shohim përparime, gjithashtu shohim edhe hapa prapa. Të drejtat seksuale dhe ri-produktive shpesh mohohen dhe për këtë arsyeje, posaçërisht të drejtat e abortimit mohohen dhe për këtë arsyeje është duke u bërë punë në parlamentin francez, me qëllim që të ndryshohet kushtetuta jonë për të dhënë abortit të drejtë kushtetuese… Pse po e financon Franca këtë projekt? Franca ka traditë të gjatë të angazhimit të drejtave të njeriut, jashtë Francës, sepse të drejtat e njeriut janë universale dhe ne e bëjmë këtë për shkak të solidaritetit me njerëz të vendeve të tjera”, tha diplomati francez.

Ky udhëzues është mbështetur nga Qeveria e Francës, ku për qëllim është që të përmirësohet bashkëpunimi ndërinstitucional në rastet e dhunës në familje dhe reagimin e politikave institucionale në nivel lokal. Udhëzuesi është në gjuhën shqipe, serbe dhe turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA