Kushi e tronditur për vrasjen e nxënësit në Gramsh: Të bashkëpunojmë për të luftuar fenomenet negative te të rinjtë

16/05/2023 16:51

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar e tronditur për ngjarjen e rëndë në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kushi tha se megjithëse gjithçka ndodhi jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojnë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, që çojnë në ngjarje të tilla të rënda.

“Jam thellësisht e tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij.

Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojmë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda.

Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër.

Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos kemi kurrë më ngjarje të tilla”- tha Kushi.

Një 15-vjeçar i shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”, në Gramsh, ka humbur jetën pasi u përfshi në një konflikt me 4 nxënës të klasës së 9-të rreth 200 metra larg ambientit  të shkollës.

Në konflikt e sipër adoleshenti është plagosur me thikë, duke humbur jetën në spital nga plagët e marra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA