Në një shkollë afër Spitallës është ndërprerë votimi pas një incidenti në ambientet e jashtme.
Ka pasur një sherr ndërmjet mbështetësve të dy forcave politike në korridor dhe sekretari që përfaqëson forcën “Bashkë Fitojmë” ka marrë vulën dhe është larguar çfarë ka bërë të ndërpritej votimi për 30 minuta.
Në Komisariatin e Policisë Durrës është paraqitur shtetasi Hekuran Markola nga këshilli bashkiak i PS-së, i cili ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë në korridorin e Qendrës së Votimit 1430-2, Durrës, e kanë goditur me grushte Dritan Burgija, kreu i PD Durrës, Pjeter Pjetri dhe Ndrec Pjetri.
“Pas sherrit që ndodhi në korridor, nga frika u larguan njerëzit, unë nuk u largova isha në oborr.”- tha sekretari.
Policia ka rrethuar zonën për të monitoruar dhe parandaluar sherre të tjera.
Sherri i ndodhur ka qenë jo i përmasave të vogla, ku dy palët janë qëlluar me grushte.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 10:30, Komisioni i Qendrës së Votimit 1428-2, KZAZ Nr. 24, Durrës, bazuar në urdhrin nr. 62, të datës 03.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me vendimin numër 13, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar disa shtetas të paautorizuar që qëndronin në këtë Qendër Votimi dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e vendimit, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi dhe kanë larguar nga ambientet e kësaj Qendre, personat e paautorizuar dhe ata që pengonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
Top Channel