Në qarkun e Gjirokastrës do të garohet në 7 bashki ku më e madhja është ajo e Gjirokastrës pasuar nga Tepelena, Dropulli, Përmeti, Këlcyra, Memaliaj e Libohova.
Dorëzimi i materialeve zgjedhore është duke ndodhur në disa bashki dhe nuk janë evidentuar probleme teknike sa i përket materialeve zgjedhore.
Ajo që raportohet nga ZAZ lokale në këtë fazë të parë të përgatitjes për zgjedhje janë mungesat në komisione të anëtarëve kryesisht të PD zyrtare por edhe komisionerë të koalicionit Bashkë Fitojmë.
Në Gjirokastër kreu i ZAZ njoftoi se 2/3 e 67 qendrave të votimit janë të paplota në anëtarë por kuorumi i nevojshëm është arritur në të gjitha qendrat. Në Dropull ku votojnë rreth 19884 zgjedhës 50% e 37 qendrave të votimit nuk kanë komisionarë të të dy forcave politike të opozitës dhe nuk është realizuar kuorumi i nevojshëm për çeljen e qendrave nesër. Atje pritet një vendim i KQZ për vijimësinë.
Edhe në bashkinë Tepelenë ku do të votohet në 22 qendra të paktën 8-9 qendra janë ende të paplotësuara me komisionerë por është arritur korumi i nevojshëm.
Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës janë regjistruar në listën e zgjedhësve rreth 123000 prej të cilëve më shumë se 40% janë emigrantë. Pjesëmarrja në zgjedhje pritet të ndikohet edhe këtë herë nga emigrantët. Deri tani të mbërriturit nga Kakavija për të votuar janë në shifra modeste. Pritet që fluksi kryesor të kulmojë nesër.
Top Channel