Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka folur për gazetarët nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ku kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë pritet që të njihet me masën e sigurisë.
Zoti Dule e cilësoi procesin gjyqësor ndaj Fredi Belerit një parodi ndërsa theksoi se vendimi ka qenë i paralajmëruar. Qëllimi, sipas tij, është që të rrëmbehet përfaqësimi politik i komunitetit të bashkisë së Himarës.
Po ashtu, Dule theksoi se nuk ka asnjë arsye politike apo juridike që Beleri dhe Pandeli Kokoveshi të vijojnë të qëndrojnë të ndaluar.
“E kërkon logjika, nga çdo optikë qoftë ajo që të lirohen menjëherë. Mund t’ju them nga ana ime se ishte një vendim i paralajmëruar dhe pasi u ekzekutua vendimi i paralajmëruar, atëherë u përpoqën që të krijojnë edhe kushtet edhe faktet. Kemi një proces parodi”– tha Dule për mediet jashtë ambienteve të Gjykatës së Vlorës, pasi nuk u lejua për të ndjekur nga afër seancën për Belerin.
Ndërkohë, në gjykatën e Vlorës është paraqitur edhe ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamisti, e cila ndodhet në sallë për të dëgjuar në person zhvillimet e seancës.
Top Channel