Mijëra vetë janë rikthyer në rrugët e Beogradit për të protestuar me moton “Serbia kundër dhunës”.
Ata dëshmuan se nuk harrojnë, dhe ashtu si gjatë protestës së parë javën e kaluar, kërkuan dorëheqjen e disa zyrtarëve. Në disa raste, turma shpërtheu në thirrjet: “Dorëheqje” dhe “Vuçiç largohu”.
“E ndjeva se duhet të dal e të ngre zërin për fëmijët e mi, sepse dua të jetoj në një vend pa dhunë. Nuk mendoj se presidenti po bën diçka për të ulur tensionet apo për të zgjidhur problemet. Unë them se ai është ndoshta burimi kryesor i dhunës që ndodh në këtë vend“, tha Zdravko Jankoviç, aktivist.
“Problemi kryesor me Serbinë është se sistemi nuk funksionon. Na duhet ta rifreksojmë të gjithë sistemin, sepse asgjë nuk po funksionon”, deklaroi Snezana Nikoliç, ekonomist.
Protesta e dytë kundër dhunës në vend u thirr nga opozita parlamentare pro-evropiane, pas dy vrasjeve masive që tronditën Serbinë javën e kaluar.
Me ftesë të organizatorëve, pjesëmarrësit e protestës bllokuan urën Gazela, e cila është më e ngarkuara në autostradën në Beograd. Organizatorët theksuan se Gazela është “i vetmi institucion në vend që funksionon”. Bllokimi i kësaj rruge kyçe në qytet, ka zgjatur rreth dy orë.
Sipas organizatorëve, janë janë përmbushur dy kërkesa – caktimi i seancës së Kuvendit të Serbisë dhe dorëheqja e ministrit të Arsimit, Branko Ruzhiç. Deputeti i Partisë Demokratike, Sërgjan Millivojeviç, ftoi protestuesit që të premten e ardhshme të dalin para Kuvendit të Serbisë, në kohën kur do të mbahet seanca me kërkesë të opozitës.
Ata kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Aleksandar Vulin.
Top Channel