Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë Vlorë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikimin e një ton marijuane në Itali.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se bazuar në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle dhe si rezultat, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin me inicialet G. L., i cili fshihej në lagjen “1 Maji”.
34-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 10 gusht 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi G. L., në bashkëpunim me 5 shtetasit e arrestuar në muajin korrik të vitit 2022, në Vlorë, dyshohet se ka transportuar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë (të ndarë në 153 pako), me 3 skafe, drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.
Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Syri”, që goditi ketë rast të trafikimit të lëndëve narkotike, u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n, Delta Forcë, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjete dhe 4 mjete lundruese që u përdorën për transportimin e saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel