Vitit shkollor po i vjen fundi por ata që gëzojnë më shumë janë fëmijët e klasave të para, të cilët pasi mësuan një pas një shkronjat e alfabetit i dhanë fund Abetares.
Gëzim por dhe shumë emocion për ta sot, pasi do të tregonin para prindërve dhe gjyshërve se çfarë mësuan në klasë të parë, me performancat e tyre.
Mësuesja e klasës së parë nuk harrohet kurrë dhe në fakt janë ato që me shumë durim dhe lodhje i mësojnë fëmijët e i orientojnë drejt dijes.
“Është pak e vështirë, por më shumë e bukur.Me emocionet që të japin, komplimentet që të bëjnë”– shprehet mësuese Enkeleda Guri.
“Ishte pak punë e lodhshme, por këta ishin fëmijë të shkëlqyer. Me kanë emocionuar dhe ma kanë bërë shumë të lehtë punën“, -shprehet mësuese Zhaneta nga “Vatra e Dijes.
Emocion për fëmijët, mësueset e tyre por dhe për prindërit qe ndoqën me kërshëri zërat melodioze të fëmijëve. Në fund edhe një surprizë, një certifikatë dhe medalje nga shkolla ku mësuan ABC-në e që do të memorizohet gjatë në mendjen e secilit.
Top Channel