Inspektori i Policisë në Konispol, Alush Çokalli është pezulluar nga detyra.
Lajmi konfirmohet për gazetarin e Top Channel, Artur Bibe, nga burime policore pranë Drejtorisë së Policisë Sarandë. Inspektori u denoncua nga media lokale afër kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fatmir Shero.
Polici i shkarkuar ishte me detyrë inspektor zone në Konispol. Burime policore për gazetarin Bibe thanë se çështja do ti kalojë SPAK.
“Në lidhje me një foto të publikuar në një portal, ditën e sotme, në të cilën shfaqet automjeti i një punonjësi policie, në zonën e Konispolit dhe pretendohet se ky punonjës ndodhej aty, për t’u bërë presion qytetarëve, në lidhje me fushatën zgjedhore, ju sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit të këtij rasti, është pezulluar nga detyra, deri në verifikimin dhe provimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, inspektor A. Ç, me detyrë Ndihmësspecialist (SPZ) në Postën e Policisë Konispol. Gjithashtu, ndaj këtij punonjësi, ka nisur hetimi disiplinor”– thuhet në një komunikat të mëvonshme nga ana e Policisë së Shtetit.
Top Channel