BE: Marrëdhëniet me Kinën “të rikalibrohen”

13/05/2023 08:40

Dy çështje të mëdha gjeopolitike janë në qendër të takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të BE në Stokholm: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe marrëdhëniet me Kinën. Vendime ende nuk ka, por disa gjëra qartësohen.

“Kina do të jetë tema kryesore sot” ishte shprehur para takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Autoriteti i BE për Politikën e Jashtme ka përgatitur një dokument për marrëdhëniet e BE me Pekinin, për të arritur në një pozicion të përbashkët të BE. Këto diskutime do të përgatisin takimin e Këshillit të BE në fund të qershorit, i cili do të “rikalibrojë” marrëdhëniet me Kinën. Të premten në mbrëmje, Borrell tha se ministrat e kanë përshëndetur dokumentin.

Kina: Edhe më tej partnere, konkurrente, rivale sistemi?

Që në vitin 2019, BE i përcakton marrëdhëniet me Kinën në trekëndëshin partnere, konkurrente, rivale sistemi. Në këtë pikë nuk priten ndryshime. Në dokumentin e brendshëm të BE, të cilin e ka në dorë Deutsche Welle, BE thekson, se varet nga sjellja e Kinës kundrejt BE, se si do të balancohen këto tre aspekte. Edhe më tej theksohet se bashkëpunimi me SHBA është i pazëvendësueshëm. Në këtë linjë u shpreh edhe kancelari Scholz në fjalimin e tij para Parlamentit Europian këtë javë.

BE ende kërkon një strategji kundrejt Kinës. Në qendër qëndron ideja e “uljes së rreziqeve”. “Ne si europianë nuk duam shkëputje, ‘de-coupling’, por duam të minimizojmë rreziqet, që kërcënojnë sigurinë tonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në Stockholm. Por në vitet e fundit rivaliteti me Kinën është shtuar.

Terren i vështirë: Sanksionet kundër Rusisë

Në takimin të premten nuk duhej të merreshin vendime, por paketa e 11 e sanksioneve kundër Rusisë ka luajtur rol pas dyerve të mbyllura. KE paraqiti një propozim javën e kaluar, ku parashikohen masa që do t’i pengonin shtetet e tjera të anashkalojnë sanksionet. Edhe kjo paketë mund të ketë ndikim në marrëdhëniet BE-Kinë. Baerbock tha, se ka pasur të dhëna, se janë dërguar në Rusi materiale lufte dhe mallra me përdorim të dyfishtë. “Në Kinë është bërë e qartë, se nuk do të ketë furnizim me materiale lufte”, tha ministrja e Jashtme gjermane. Mallrat me përdorim të dyfishtë janë ato që krahas përdorimit civil mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake.

Ndërkohë Hungaria ka kërcënuar me bllokimin e sanksioneve të mëtejshme kundër Rusisë. Për sa kohë banka më e madhe hungareze, OTP ndodhet në listën ukrainase të mbështetësve të luftës së Rusisë, qeveria hungareze nuk do të negociojë më sanksione të reja, që kërkojnë viktima të tjera, bëri të ditur ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto në Stokholm.

Ndryshim paradigme në politikën e sanksioneve?

Masat ndëshkuese që diskutohen tani janë të ashtuquajtura, sanksione dytësore, sqaron Tobias Gehrke nga Instituti European Council on Foreign Relations. Kjo do të thotë që produktet që janë të sanksionuara, përmes një kompanie në një shtet të tretë arrijnë megjithatë në Rusi. BE deri tani nuk vepron dot, sepse mund të sanksionojë vetëm kompanitë brenda BE. Në këtë debat eksperti vëren një ndërrim paradigme, sepse deri tani BE nuk ka folur për masa të tilla ndaj këtyre kompanive. Tani flitet për një listë vendesh që luajnë rol në anashkalimin e sanksioneve. Por ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis shprehu dyshime në Stokholm, se vendet e BE do të bien në ujdi. “Nuk jam i sigurtë, nëse ndalimi i një vendi do të ishte eficient”, tha ai, duke mbështetur idenë e penalizimit direkt të kompanive që mënjanojnë sanksionet.

Të shtunën debati vazhdon, me prani të ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Pata takimit ai kërkoi armë të tjera nga Gjermania dhe e shikon këtë vend me rol kyç në furnizimin me armë. Me koncernin e armatimit, Rheinmetall kemi një “titan të industrisë së armatimit në Europë e ndoshta në botë”, tha Kuleba për «Welt am Sonntag»./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA