Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të vëzhgojë zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri.
Një delegacion i KQZ-së së Kosovës, në përbërje të të cilit do të jenë anëtarët e këtij institucioni dhe një staf nga sekretariati, do të shohin nga afër implementimin e teknologjisë në procesin zgjedhor në Shqipëri, veçmas identifikimin dhe votimin elektronik në tri bashki.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për KosovaPress se ky vëzhgim është në kuadër të bashkëpunimit të mirë që kanë institucionet zgjedhore në të dy vendet.
“Të dy institucionet tona kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe zgjedhjet janë mundësi e mirë për t’u parë nga afër organizimin e këtij procesi zgjedhor në një vend tjetër. Përveç takimeve të ndryshme që do të zhvillohen nga ana e KQZ-së para ditës së zgjedhjeve, anëtarët e KQZ-së do të qëndrojnë në një numër të madh të qendrave të votimit në bashki të ndryshme për të parë nga afër procesin zgjedhor që zhvillohet në këto bashki”, thotë ai.
Elezi thekson se qëllimi kryesor është shkëmbimi i përvojave zgjedhore mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai shton se gjatë këtij vëzhgimi, vëmendje më e madhe do t’i kushtohet votimit të pjesshëm elektronik në 401 vendvotime të bashkive Elbasan, Kamëz dhe Vorë, si dhe numërimin e votave që zhvillohet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.
“Natyrisht se si çdo fazë e procesit zgjedhor ka rëndësi për KQZ-në, por meqenëse vëzhgimi është i kufizuar vetëm në disa ditë, atëherë vëmendje do t’i kushtohet aplikimit të teknologjisë në procesin zgjedhor. Në këtë rast, sa i përket votimit elektronik në tri bashki të ndryshme, si dhe identifikimit elektronik të votueseve. Po ashtu, në qendër të këtij vëzhgimi nga ana e KQZ-së është edhe procesi i numërimit të fletëvotimeve pas zgjedhjeve në hapësirat të veçanta. Pastaj edhe procesin në përpilimit të rezultatit përfundimtar”, thekson ai.
Republika e Kosovës, falë zbatimit të teknologjisë arrin që të publikojë rezultatet preliminare të zgjedhjeve vetëm pak orë pas përfundimit të procesit të votimit në vendvotime si dhe u mundëson qytetarëve që ta ndryshojnë qendrën e tyre të votimit përmes telefonit.
Zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen nesër (e diel) më 14 maj. KQZ-ja ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri edhe në të kaluarën.
Top Channel