I vendosur për shkak të pandemisë së Covid 19, Artikulli 42, pjesë e ligjit që rregullon emigracionin në mbrojtje të shëndetit publik të amerikanëve, skadoi sot dhe në kufirin e SHBA-së me Meksikën, shpërtheu kaosi.
Dhjetëra mijëra azilkërkues meksikanë nxituan të hynin në Shtetet e Bashkuara përpara se të vendoseshin rregullat e reja të shpallura nga administrata e presidentit Joe Biden. Rregullorja e bërë publike të mërkurën parashikon se shumica e emigrantëve nuk kanë të drejtë për azil nëse kanë kaluar nëpër vende të tjera pa kërkuar më parë mbrojtje diku tjetër, ose nëse nuk kanë përdorur rrugë ligjore për hyrjen në SHBA.
Sipas rregullores së mëparshme, që ka qenë në fuqi që nga marsi 2020, shumë kalimtarë të kufirit u dëbuan me shpejtësi në Meksikë pa pasur mundësi për të kërkuar azil, duke çuar në përpjekje të përsëritura prej tyre.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, tha se rregulli i ri do të nënkuptonte pasoja më të rënda për emigrantët që kalojnë ilegalisht, të cilët, nëse kapen, mund të deportohen dhe të ndalohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për pesë vjet nëse nuk kualifikohen për azil.
Qytetarë të shumtë, përfshirë dhe fëmijë u dyndën përgjatë një pjese të vijës kufitare të SHBA-së të rrethuar me tela me gjemba, të pasigurt se ku të shkonin ose çfarë të bënin më pas. Sipas masave të reja, emigrantët mund të aplikojnë në internet, të gjejnë një sponsor dhe t’i nënshtrohen kontrolleve të së kaluarës së tyre. Konsiderohet se suksesi i këtyre reformave ka potencialin për të transformuar ndjeshëm mënyrën sesi emigrantët i afrohen kufirit SHBA-Meksikë.
Top Channel