Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, përcolli mesazhe të qarta gjatë ditës së parë të vizitës së saj në Kosovë.
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një hap thelbësor që duhet të ndërmerret për të siguruar vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ky proces, nënvizoi ajo, duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
“Marrëveshja është aty, ka një urgjencë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpresojmë se tani më në fund, ka një rrugë sesi dialogut do të duket. Ndonëse palët ende nuk kanë qëndrime të përbashkëta se cili do të jetë modaliteti, kjo është hera e parë që po ndodh një angazhim i tillë kaq thelbësor. Për këtë arsye, është e rëndësishme tani që idetë janë paraqitur, të arrihet kompromisi në mënyrë që të mund të vazhdojë normalizimi i cili do të çojë përfundimisht në njohjen përfundimtare, njohjen e ndërsjellë”, u shpreh Samantha Power.
Power shkoi në Kosovë pas një vizite në Serbi. Shefja e USAID po e shfrytëzon këtë rrugëtim për t’u takuar me liderët e të dyja vendeve, ndërsa diplomatët amerikanë dhe europianë janë duke punuar intensivisht për stabilizimin e marrëdhënieve mes dy ish armiqve të kohës së luftës, në një kohë kur tensionet po ngrenë krye sërish.
Power bëhet kësisoj udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.
Top Channel